14:38 / E Enjte, 14 Qershor 2018

​Apelohet për dhurim të gjakut (Video)

Nën moton “Dhuro gjak, shpëto jetë” në Kosovë është shënuar “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”, ku në të gjithë vendin janë organizuar aktivitete për dhurim të gjakut me qëllim rritjen e vetëdijes së popullatës për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë të atyre që janë në nevojë.

Në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë është organizuar një aktivitet për dhurim të gjakut, ku kanë dhuruar gjak zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Organizimi i këtij aktiviteti për dhurimin vullnetar të gjakut, për drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut Bukurie Zhubi, është bërë të ndërgjegjësohet opinioni në lidhje me dhurimin vullnetar të gjakut.

“Kjo ditë ka për qëllim që të informojë tërë opinionin që të ndërgjegjësoj opinionin publik në lidhje me dhurimin vullnetar të gjakut dhe njëkohësisht të inkurajojë ata që të vijnë dhe të dhurojnë gjak. Në kuadër të aktiviteteve për cilat i kemi organizuar për Ditën Botërore të dhurimit të gjakut 14 qershorin kemi marrë disa aktivitete, aktivitetin kryesor e kemi këtu në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut”, tha ajo.

Zhubi bëri thirrje që të gjithë ata që gëzojnë shëndet të plotë të dhurojnë gjak, pasi sipas saj është shumë e rëndësishme që kjo Qendër të mos mbetet pa rezerva.

Përveç në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë gjak gjatë ditës së sotme këtë mund ta bëjnë edhe ne Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërkohë që edhe në të gjitha Qendrat Regjionale janë të vendosur ekipe ku mund të dhurohet gjak.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në mënyrë të organizuar gjatë ditës së sotme kanë dhuruar gjak, e këtë sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, Faik Hoti e kanë bërë në shenjë solidarizimi me të gjitha ata që kanë nevojë për gjak.

Gjithashtu, Hoti u shpreh se procesi i dhurimit të gjakut përveç anës humanitare e përmban edhe anën pozitive shëndetësore.

“Sot është dita botërore e dhuruesve vullnetar të gjakut dhe në shenjë solidarizimi dhe mbështetje të aktiviteteve edhe zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë po dhurojmë gjak. Ky proces i ka disa të mira dhe ajo që është ndoshta më e rëndësishmja është që vjen në shprehje ajo vlera humanitare e njeriut për të ndihmuar tjetrin. Çdo dhurues besoj që ndjehet mirë kur dhuron gjak, sepse e ka në mend që po e ndihmon dikë që është në nevojë. Ana tjetër pozitive e procesit të dhurimit të gjakut është se para dhurimit të gjakut çdo dhurues e fiton një vizitë mjekësore, disa kontrolle falas dhe është fakt i njohur shkencor që të gjithë ata që dhurojnë gjak janë më pak të ekspozuar ndaj sëmundjeve të ndryshme të sistemit kardio vaskular, diabetit. Pra, përveç anës humanitare ky proces e ka edhe anën pozitive shëndetësore”, tha ai.

Hoti ka ftuar të gjithë ata që gëzojnë shëndet të plotë që të dhurojnë gjak.

Që nga viti 2004, 14 qershori shënohet si “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”, që përveç qëllimit për rritjen e vetëdijes së popullatës për të dhuruar gjak, ka qëllim edhe falënderimin për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut.