14:26 / E Enjte, 12 Prill 2018

​OAK kërkon nga Ministria e Punës rritje të komunikimit me bizneset

Një delegacion nga Oda e Afarizmit të Kosovës janë takuar me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale Skënder Reçica.
Kryetari i Bordit të OAK Skënder Krasniqi theksoi   rëndësinë e koordinimit më të mirë në mes të Ministrisë dhe përfaqësuesve të bizneseve në mënyrë që së bashku të kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe zvogëlimit të rasteve me asistencë sociale.

Problemi me ligjet, ishte njëri nga shqetësimet e radhës që u ngritën në këtë takim, duke theksuar më tutje se Qeveria duhet të krijojë një mekanizëm efekti dhe kundër efekti nga një ligj i caktuar, në mënyrë që ai të mos e dëmtojë zhvillimin.

“Miratimi i ligjeve pa mbështetje të bizneseve, miratimi i ligjeve në kundërshtime me ligjet e tjera dhe shumë probleme të tjera kanë bërë që në Kosovë ligjet të jenë pengesë e zhvillimit të vendit. Kjo është edhe arsyeja kryesore e mosardhjes së investitorëve të huaj”, u tha në takim me ministrin e Punës.

Siç u tha në takim duke e marrë parasysh këtë rritja e komunikimit në mes të Ministrisë dhe bizneseve, është një nevojë urgjente.

“OAK është e gatshme me gjithë kapacitetin e sajë të kontribuojë në ketë drejtim”, thuhet në njoftim të Odës.

Gjatë këtij takimi  Krasniqi adresoi disa çështje specifike të cilat paraqesin një shqetësim për bizneset.

Theks i veçantë iu kushtua ligjit të lehonave, i cili po paraqet një barrë shumë të madhe për biznesin. Si i tillë, ky ligj duhet të jetë stimulues për punësimin e gjinisë femërore, marrë parasysh faktin se shkalla e punësimit të femrave është vetëm 12 përqind.

“Duke marrë parasysh madhësinë e bizneseve në Kosovë dhe nivelin e punësimit të grave është e domosdoshme dhe urgjente ndryshimi i Ligjit të Punës si dhe heqja barrës së madhe nga bizneset në Kosovë sepse pushimi i lehonisë është interes nacional për të cilën barrën kryesore duhet ta marrë Qeveria e jo biznesi. OAK kërkon që qeveria të paguajë 6 muajt e parë, 70 përqind të pagës ndërsa 3 muajt e tjerë biznesi” , tha Krasniqi.

OAK theksoi edhe rastet specifike siç është Kroacia dhe Austria të cilat marrin përsipër pagesën 100 përqind të lehonisë nga ana e qeverisë.

Ministri Reçica falënderoi OAK-në për adresimin e këtyre çështjeve dhe theksoi se problemet me ligje ekzistojnë dhe janë duke punuar në këtë drejtim.

Sipas ministrit, fokusi janë disa çështje të cilat kanë shënuar avancim e të cilat kanë të bëjnë me Reformën në sistemin pensional, ku si qëllim është përfundimi i koncept dokumentit të regjistrit pensional duke kontribuar kështu në rindërtimin e mirëfilltë të një sistemi të tillë.

Ministri gjithashtu, u shpreh i hapur për çfarëdo mënyre të komunikimit, me qëllim që bashkëpunimi të jetë në nivel.

Ai gjithashtu theksoi se do të jetë i pranishëm në takime të përbashkëta me bizneset, në mënyrë që drejtpërdrejt të i dëgjojë problemet që kanë bizneset me staf profesional.