23:04 / E Mërkurë, 20 Qershor 2018

​Tragjedia në Maqedoni- Prindërit kishin mbyllur fëmijët në shtëpi, vet kishin shkuar për pazar

Prokurori Publike i Prokurosisë së Velesit ka bërë ekspertizën në vendin e ngjarjes, ku zjarri që shpërtheu këtë pasdite në një shtëpi në këtë qytet la të vdekur tre fëmijë të moshës katër, dy dhe një vjeçare.

Sipas ekspertizës paraprake të prokurorit publik, prindërit i kishin mbyllur fëmijët brenda në shtëpi dhe kishin shkuar në dyqan për të bërë pazar. Gjatë asaj kohe, për arsye akoma të panjohura, një zjarr shpërtheu brenda në banesë dhe për një kohë shumë të shkurtër përfshihu gjithë shtëpinë duke djegur të gjallë tre të miturit.

Gjatë inspektimit, prokurori publik kërkoi që të bëhet edhe autopsia e kufomave të fëmijëve dhe të kryhet identifikimi i tyre, për shkak se kufomat janë karbonizuar. Gjurmët e marra në vendngjarje do të kontrollohen për të përcaktuar shkaqet e  zjarrit. Prokurori publik kompetent në Veles po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme penale për prindërit e viktimave.