10:37 / E Shtunë, 04 Gusht 2018 / indeksADMonline

​Apartament me qera në Murin e Madh Kinez!

Një natë në muze? Edhe më mirë, një natë i zhytur në 2 600 vite histori të një prej monumenteve më të famshëm të botës.

Në “Airbnb” është hapur konkursi për të fituar një pushim të paharrueshëm, mbi të gjitha për vendin ku do të kalohet nata, në Murin e Madh Kinez, shkruan e përditshmja italiane “Corriere della Sera” në faqen e saj të internetit.

Një krevat dopio, një tualet, mengjes dhe një darkë tradicionale në këtë mini apartament të fshehur mes 21 mijë kilometrave të kësaj vepre arkitekturore që ndante kufirin mes Perandorisë Kineze dhe Mongolisë. Megjithatë ky apartament nuk mund të merret me qera kur dëshiron. Pushimet mund të fitohen duke marrë pjesë në një konkurs të organizuar nga “Airbnb”.

Pasi të hyni me kredencialet përkatëse, do të duhet të shpjegoni, me rreth 500 fjalë përse duhet të zgjidheni ju për këtë pushim me të vërtetë origjinal.Fituesit do të zgjidhen më 13 gusht dhe do të informohen me email brenda 24 orëve.

Kjo natë e zhytur në histori do të zhvillohet në fillim të shtatorit, mes datës 3 dhe 9 të këtij muaji. Në këtë konkurs është i përfshirë edhe udhëtimi.