20:58 / E Mërkurë, 27 Qershor 2018 / indeksADMonline

​Në Maqedoni, pozita dhe opozita përplasen për kushtëzimet e BE-së

Pushteti dhe opozita e konceptojnë në forma totalisht të ndryshme vendimin e vendeve anëtare të BE-së për fillimin e mundshëm të negociatave me Maqedoninë për anëtarësim.

Sipas kryeministrit Zoan Zaev, vendimi i kushtëzuar nga Samiti i Luksemburgut për fillimin e bisedimeve në qershorin e ardhshëm, është motivim shtesë.“Duke pasur parasysh se në maj të vitit 2019 janë zgjedhjet për parlamentin evropian, vendimi i Bashkimit Evropian është i plotë dhe tërësisht në pajtim me pritshmëritë tona. Ne jemi të lumtur dhe sigurisht të motivuar edhe më shumë. Politikat tona si shtet do të vazhdojnë të fokusohen në punën voluminoze që është e nevojshme për t’u përforcuar institucionet dhe të kthehet besimi i qytetarëve.

Transparenca para qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit, përkushtimi në sundimin e së drejtës dhe qasja jonë miqësore me fqinjët janë shembuj për shoqëritë tjera në Ballkan por edhe më gjerë”, tha Zoran Zaev, kryeministër. Por opozita e sheh ndryshe vendimin e BE-së. VMRO-DPMNE-ja madje e akuzon Qeverinë se e ka larguar edhe më shumë vendin nga strukturat euro-atlantike. “Maqedonia nuk mori rekomandim të pastër dhe të menjëhershëm siç premtoi Zoran Zaev dhe Qeveria por vetëm shpresë së ndoshta vitin e ardhshëm në këtë kohë do të plotësohen kriteret për caktimin e datës për negociata. Maqedonia gjithë vitin do të duhet të vendnumërojë sepse sipas raportit është e nevojshme të bëhet progres në luftën kundër korrupsionit, reformat thelbësore në më shumë fusha dhe krijim të kushteve për gjyqësor të pavarur. Kjo Qeveria e paaftë nuk i përmbushi kriteret dhe kjo është konstatuar”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së. Edhe Aleanca për Shqiptarët, datën për fillim të negociatave e quan manipulim nga ana e pushtetit.

“Nuk ka pasur vendim për hapjen e negociatave dhe nuk ka as garancë nga BE-ja se do të hapen vitin e ardhshëm në rast se nuk plotësohen këto kushte të cilat janë të evidentuara si vërejtje serioze. Maqedonia e humbi shansin që hapja e negociatave për anëtarësim të fillojë këtë vit dhe nuk e ka të sigurt hapjen e tyre vitin tjetër pa i përmbushur kushtet e BE-së”, u shpreh Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi thotë se shtyrja e datës për fillim të negociatave me BE-në për një vit do të shfrytëzohet si periudhë për përgatitje. Ai është optimist se më 11 dhe 12 korrik në Samitin e NATOs, vendi do të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancë. “Aspak nuk duhet të jetë afektues fakti që vendimi është shtyrë për një vit sepse përcakton datën në të cilën fillojnë bisedimet për fillim të procesit integrues për hapjen të të gjitha temave që duhet t’i hapim. Përkundrazi, përcaktimi i datës për në qershor të vitit të ardhshëm duhet të jetë motivues për të gjithë ne që t’i bëjmë të gjitha përgatitjet e duhura, në afatet e duhura edhe në aspektin infrastrukturore por edhe përgatitjes së administratës e cila duhet të jetë bartëse e procesit për hapjen e të gjithë kapitujve”, theksoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit. Maqedonia dhe Shqipëria një ditë më parë morën datë të kushtëzuar për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian konfirmuan se dy vendet mund të nisin bisedimet për anëtarësim në qershor të vitit 2019. Deri atëherë Komisioni Evropian është i obliguar ta përgatisë terrenin për çeljen e negociatave, ndërsa dy vendet kandidate duhet t’i përmbushin të gjitha kushtet e kërkuara; reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. /Alsat M/

Temat: