16:54 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

​Pacolli: Jemi kundër idesë së shkëmbimeve të territoreve në Ballkan

“Ne e falënderojmë Zvicrën, në mënyrë të veçantë si vend që e ka mbështetur historikisht Kosovën. Ish Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, ka bërë thirrje që herët, që Kosova të bëhet e pavarur dhe ajo e ka vendin në historinë moderne të Kosovës”, i tha ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, Zëvendëssekretares së shtetit të Zvicrës, Krystyna Marty Lang, në një takim, që zhvilloi sot në Prishtinë.

Gjatë takimit me diplomaten e lartë zvicerane, në kuadër të konsultimeve politike mes dy vendeve, u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe për iniciativa të reja në intensifikim të këtij bashkëpunimi.Ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesen dhe me zhvillimet e fundit në Kosovë në lidhje me Dhomat e Specializuara, Projektligjin për Demarkacionin, etj. Diplomatja e lartë zvicerane, e shoqëruar nga Ambasadori i Konfederatës Helvetike në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, e uroi Ministrin Pacolli për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe i konfirmoi vullnetin e Zvicrës për të vijuar me ndihmën e fuqishme.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, ajo nënvizoi se Zvicra kundërshton çdo ide shkëmbimi territoresh në Ballkan, qëndrim që u mbështet nga ministri Pacolli, i cili tha se “ kjo ide do të sillte hapjen e kutisë së Pandorës në rajonin tonë’. Në vijim të takimit, ministri Pacolli kërkoi ndihmë për sjelljen e modelit zviceran të funksionimit të komunave të Kosovës.