15:25 / E Diele, 15 Korrik 2018 / indeksADMonline

​Përleshje fizike në protestën në Mramor, arrestohen pesë persona

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit janë përleshur gjatë protestës së sotme që është mbajtur në magjistralen Prishtinë-Gjilan, nga banorët e fshatit Mramor.

Përleshja ka ndodhur në mes disa protestuesve dhe kalimtarëve të rastit, ku këta të fundit kanë tentuar ta prishnin kordonin e demonstruesve të cilët shprehnin pakënaqësitë e tyre për shkak të vonesës së punimeve në rrugë, nga Ministria e Infrastrukturës.

Të arrestuarit sipas policisë janë tre kalimtarët e rastit si dhe dy persona nga grupi i protestuesve.

Organizatori i protestës Rashit Gashi, ka shpjeguar se si ka ardhur deri te përleshja fizike mes protestuesve dhe kalimtarëve të rastit.

Ai tha se përkundër që protestuesit e kanë liruar rrugën që të kalojë një veturë, por personat që gjendeshin brenda saj prapë kanë dalë dhe janë kthyer për t’u përleshur me protestuesit.

“Ndjen keqardhje për atë incident, sepse ne si protestues nuk i parapritëm, ai qytetari i revoltuar nga bllokimi i rrugës këtu doli dhe ofendoi protestuesit, mandej i liruam rrugën dhe vazhdoj rrugën. Parkoj 20 metra diku më larg dhe u kthye në këmbë prapë, një grua ke me dy fëmijët dhe me bashkëshortin e saj dhe ja nisi me i ofendua protestuesit, kush ke ai, kush ke ai duke i kërkuar”, tregoi ai.

Banorët e fshatit Mramor për afër 1 orë kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Gjilan, në shenjë pakënaqësie ndaj Ministrisë së Infrastrukturës, për siç thonë banorët se kanë dëmtuar rrugën dhe urat e fshatit duke lënë gropa të mëdha të hapura.

Organizatori i protestës dhe përfaqësuesi i banorëve Rashit Gashi, ka thënë se po u rrezikohet jeta fëmijëve të tyre që kalojnë në atë pjesë të rrugës ku gropat janë lënë të hapura.

Ai thotë se i gjithë projekti do të duhej të përfundonte brenda 169 ditë pune.

“Tash e 14 muaj ne jemi duke qarkulluar në këtë rrugë të fshatit në gjendje të mjerueshme, kjo është vetëm një prej fotografive në gjenden në të cilën e ka lënë ministria e Infrastrukturës. Fëmijët tanë çdo ditë rrezikohen duke shkuar dhe duke ardhur nga shkolla nga këto gropa skeptike dhe nga tensioni i linjave të tensionit të lartë, pasi që dheun të cilin e ka hequr kompania kontraktuese të ministrisë e kanë zhvendosur përfundi telave dhe telat mund të arrihen me dorë. Ky projekt të cilin e shihni edhe në tabelën vijuese mbrapa shpinës ka filluar me 20 maj 2017 dhe është dashur të përfundohet në fillim të dhjetorit të vitit 2017. Do të thotë tash e 7 muaj po bahen kur projekti është dashur të përfundojë dhe sot neve të mos na qesin në këtë gjendje të dalim dhe të bllokojmë rrugë”, tha ai.

Gashi bëri të ditur se përmes postës elektronike kanë njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën e Prishtinës për gjendjen e rrugës, por thotë se nuk kanë marrë përgjigje nga asnjëra palë.

Për të biseduar me protestuesit në vend të ngjarjes ka dalë Arxhend Zejnaj, shefi i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Shefi i kabinetit të tij, u ka premtuar banorëve se qysh nesër do të marrin masa.

Ai deklaroi se do të marrin masa ndaj kompanisë në rast se ka pasur buxhet dhe nuk i ka përfunduar punët, por nëse nuk ka pasur buxhet atëherë do ta mbushin kuotën buxhetore të këtij projekti.

“Qytetarët e këtij rajoni kanë dal në protestë, megjithatë situatën nuk e kemi pasur të raportuar në formën e duhur. Prej nesër ministri Lekaj ka me marrë masa dhe me e pa kush është fajtori që nuk është zbatuar kontrata sipas planit dinamik. Tjetra çka mund të them është që nëse për mungesë buxheti ky projekt nuk është realizuar qysh duhet kemi me mbush atë buxhet me të holla dhe punët kanë me u krye. Na vjen keq që ato gropa të shëmtuara dhe të rrezikshme kanë qenë të hapura ashtu për 14 muaj, por do të bëjmë çdo gjë që është në dorën e Ministrisë së Infrastrukturës që kjo rrugë me përfundua sa më parë. Edhe ky projekt si shumë të tjerë janë projekte elektorale që janë lidh nga ish qeveria, të cilat janë nënshkruar kontratat për periudha të gjata kohore  me të vetmen arsye që me thënë se po bëjmë diçka”, tha ai.

E në rast të mos reflektimit nga Ministria e Infrastrukturës, përfaqësuesi i banorëve Rashit Gashi, tha se do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën për kohë të pacaktuar.

“Unë gjatë javës së ardhshme pres, përndryshe nga sot një javë e tutje ne jemi të detyruar çdo të diele kemi me dal dhe me protestua këtu edhe pa afat më. Protesta nuk do të zhvillohet vetëm një orë”, tha ai.

Banorët thonë se i gjithë projekti do të duhej të përfundonte brenda 169 ditëve pune, ndërsa projekti ka filluar të realizohet me 20 maj të vitit 2017.