12:08 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

​Policia nuk e kontrollon një pjesë të kufirit me Serbinë

Në seancën e Kuvendit që është u ngrit edhe çështja e kontrollimit të kufirit nga ana e Policisë së Kosovës.

Është shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili e ka ngritur këtë shqetësim të tij dhe njëkohësisht e ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme nëse Policia  e kontrollon tërë kufirin me Serbinë, pasi ka shqetësime nga ana e banorëve të Karaçevës, fshat ky i komunës së Kamenicës në të cilin shpesh raportohet për hyrje të policisë serbe në territorin e Kosovës.Duke u përgjigjur në pyetjen e Hotit ministri Gashi, theksoi se përgjegjësia për mbikëqyrjen e vijës kufitare me Serbinë është ende nën mandatin e KFOR-it, i cili nuk e ka dorëzuar mandatin te Policia e Kosovës, ashtu siç e ka dorëzuar në pjesët tjera të vijës kufitare me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka ngritur problemin e përmbaruesve privat. Ajo tha se në kohën kur Ministria e Drejtësisë udhëhiqej nga Hajredin Kuçi, u miratua Projektligji për procedurën përmbarimore, për të cilin kishin paraqitur amendamente për heqjen e përmbaruesve privat, por të jenë vetëm përmbarues publik në mënyrë që ta kenë parasysh interesin publik e jo privat, siç bëjnë ata privat sot.

Sipas saj, përmbaruesi privat nuk merret me të fortit, por merret me ata të ligët, si pensionistin, ata me raste sociale e tjerë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, derisa kishte pyetje për ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e cila nuk ishte e pranishme, theksoi se i ka humbur kuptimi i pyetjeve parlamentare, meqë mungesa e ministrave po bën që deputetët mos të jenë të interesuar të bëjnë pyetje.Pyetja e Musliut ishte për degradimin e ambientit në Brezovicë dhe mungesa e infrastrukturës në atë pjesë.