11:54 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

​Punëtorët e larguar nga KEDS-i kërcënojnë me grevë të përgjithshme

Dhjetëra punëtorë të KEDS-it në Mitrovicë, të përkrahur edhe nga Federata e Sindikatave të Pavarura ‘Elektro Kosova’ (FSPE), kanë protestuar sot duke reaguar kështu kundër vendimit të shkëputjes së kontratave të punës për disa punëtorë të kësaj kompanie.

Ata bënë të ditur për ndërprerjen e kontratave të punëtorëve pa ndonjë arsye që po ndodh për çdo vit nga ana e KEDS-it, duke potencuar se vetëm këtë vit iu janë ndërprerë kontratat e punës 10 punëtorëve, prej të cilëve dy në distriktin e Mitrovicës.

Protestuesit kanë apeluar tek institucionet relevante të ndërhynë sa më shpejt në zgjidhjen e këtij problemi, në të kundërtën theksuan grevën e përgjithshme si hap i mëtutjeshëm në mbështetje të këtyre punëtoreve.

Fehmi Pajaziti, nënkryetar i FSPE-së në Kosovë, tha se punëtorët me shumë vite përvojë pune po zëvendësohen me gjenerata të reja dhe po paguhen me paga minimale prej 170 euro.

Sipas tij, kjo është shkelje e ligjit, ndërsa tërhoqi vëmendjen e një dëbimi të punëtorëve në një numër shumë më të madh më datën 7 maj, atëherë kur shumicës së punëtorëve të kësaj kompanie iu skadon kontrata.

Ndërsa, Abdullah Veseli, kryetar i FSPE-së në Mitrovicë, përveç kthimit në punë të punëtorëve të larguar, ka përmendur edhe disa kërkesa tjera, si përmirësimin e kushteve të punës, nënshkrimin e kontratës kolektive etj. Ai, duke i quajtur anëtarët e menaxhmentit të kësaj kompanie si uzurpator, ka kërkuar nga institucionet dëbimin e tyre nga Kosova.

Veseli ka paralajmëruar kolaps energjetik në mbarë vendin nëse institucionet përkatëse nuk ndërmarrin masa.

Ndryshe, protesta e cila u mbajt para ndërtesës së KEDS-it në Mitrovicë, ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa pjesëtarë të policisë kanë vëzhguar situatën gjatë tërë kohës.