10:32 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, në New York ende po festohet (Foto)

Në New York të SHBA-ve, Dhoma e Anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë në një ceremoni solemne festoi 10 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kjo ceremoni solemne e organizuar nga Kryetari i Këshillit të Bashkësisë së New York-ut Corey Johnson, dhe këshilltarëve Mark Gjonaj, Andrew Cohen dhe Ritchie Torres, u mbajt në dhomën e këshillit të Bashkisë New York- City Hall.

Prezent në këtë ceremoni festive ishin personalitete të ndryshme, duke përfshirë kongresistin e njohur Amerikan Eliot Engel, Kryetarin e Bashkisë së New York, Johnson, ambasadoren e RKS-se në New York Teuta Sahatqija, ajo e Shqipërisë Besiana Kadare, nga Policia e Kosovës shefi i zyrës për informim Baki Kelani, familjarët e vëllezërve Bytyqi, zyrtar policor të NYPD-së, përfaqësues të komunitetit fetar, luftëtar të bataljoneve të ndryshme, shoqata dhe veprimtar të ndryshëm.

Në këtë manifestim u ngritën flamujt shtetëror të Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së, ku njëkohësisht u intonua edhe himni shtetëror i të tri shteteve.
Gjatë kësaj ceremonie u prezantuan projekte me interes për komunitetin shqiptaro amerikan, si dhe u bë ndarja e proklamata-ve dhe mirënjohjeve për personalitete të caktuara që kontribuan në forma të ndryshme për pavarësinë e Kosovës dhe shtetndërtimin e saj.

Personalitete të ndryshme pjesëmarrëse duke përfshirë institucionet policore nga Kosova, Shqipëria, Amerika si dhe komuniteti shqiptaro amerikan përmes angazhimeve të ndryshme do të vazhdojnë të kontribuojnë, promovojnë dhe lobojnë për Republikën e Kosovës. /Indeksonline/