16:42 / E Premte, 13 Tetor 2017 / indeksADMonline

120 vjet shkollë në Zllakuqan të Klinës

Në fshatin Zllakuqan të Klinës, sot është mbajtur manifestim për nder të 120- vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, ”Atë Shtjefën Gjeçovi”.

Në këtë manifestim të organizuar në përkujdesje të kryetarit të komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, familjarë të dëshmoreve, përfaqësues të klerit katolik e musliman, prindër, nxënës, arsimtarë, veteranë të arsimit dhe qytetarë të tjerë.

“Zllakuqani dhe fshatrat përreth sot kanë festë dhe kjo festë është e përbashkët për të gjithë shqiptarët, sepse sot po shënojmë 120- vjetorin e shkollës së Zllakuqanit, të kësaj vatre me rëndësi historike dhe kombëtare, jo vetëm për Klinën dhe banorët e saj, por për krejt historikun dhe rrugëtimin e vështirë që bëri shkolla shqipe ndër vite dhe ndër shekuj për të kryer misionin e saj në shërbim të edukimit kombëtar të brezave të rinj dhe të zhvillimit të përgjithshëm të tyre shoqëror e shkencor”, ka thënë me ketë rast Bashota, përcjellë AktivPress.

Sipas tij, figura e rrallë e Gjeçovit, është njëra nga figurat dhe personalitetet me poliedrike të kulturës shpirtërore të popullit shqiptar dhe luftës për liri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, para të pranishmëve të shumtë, ka thënë se kjo ditë është e veçantë për Zllakuqanin dhe Kosovën, sepse para 120 viteve, këtu është hapur një shkollë shqipe dhe kjo ka qenë një ngjarje e madhe dhe e veçantë që kujtohet edhe sot.

“Janë plot 120 vjet, kjo tregon rrugën e gjatë që është bëre, që të krijohen dy shtete që sot janë në hartën e Ballkanit, duke kaluar sakrifica të shumta. Kjo ngjarje kujton të kaluarën tonë të lavdishme. Çdo gjeneratë ka një mision të saj, gjenerata e Gjeçovit ka kryer misionin e hapjes së shkollës shqipe”, tha Hoxhaj, për të shtuar se gurthemeli i kësaj shkolle para 120 vite është gurthemel i shtetit të Kosovës.

Në këtë manifestim foli edhe shkrimtari e publicisti, Mikel Gojani dhe drejtori shkollës Ndrecë Kola, të cilët vunë në pah rëndësinë e madhe që ka kjo datë për shkollën shqipe. U dha edhe një program artistik nga nxënësit e shkollës së Zllakuqanit ndërsa kryetari i Klinës Sokol Bashota ndau mirënjohje disa personalitete për kontributin e dhënë në arsim, humanizëm dhe lirinë e Kosovës./AktivPress