12:22 / E Enjte, 09 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Punëtorët e sigurimit pa paga që disa muaj (Dokument)

Kanë hyrë në muajin e katërt dhe ende nuk janë paguar.

Punëtorët e kompanisë private “Rojet e Nderit” të cilët merren me sigurimin e spitalit rajonal “Daut Mustafa” në Prizren ndonëse arrijnë të sigurojnë këtë objekt, ata nuk arrijnë të sigurojnë pagat e tyre për të cilët punojnë.

Janë gjithsej 20 punëtor në këtë spital të cilët i ka tre muaj e 8 ditë që nuk i kanë marr rrogat e tyre në shumë prej 277 euro për secilin e që në total janë 15 mijë e 789 euro borxh që spitali iu detyrohet punëtorëve të kësaj kompanie.

E këtë nuk e ka mohuar as vet drejtori i këtij spitali Afrim Avdaj. Ai për Indeksonline tha shkurt se pagesat nuk janë përgjegjësi e spitalit por kompanisë kontraktuese nga Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Prishtinës.

“Nuk është nën menaxhimin tonë. Këta punëtor janë nga një kompani private e cila është e kontraktuar nga SHSKUK dhe nuk varet nga ne” është shprehur Avdaj.

Indeksonline ka kontaktuar me kompaninë private “Rojet e Nderit” për të kuptuar se nga kush financohen dhe cilat janë arsyeje e këtyre vonesave.

Zyrtari për financa në këtë kompani, Arben Hasani përmes një përgjigje elektronike ka thënë se pagesat bëhen nga spitali i Prizrenit.

“Lidhur me pyetjen tuaj, është e vërtet se jemi në vonesa të pagave për punëtoret e kompanisë sonë në Spitalin e Prizrenit. E nderuar pagesat ndaj nesh bëhen  nga Spitali i Prizrenit dhe vonesat e pagesave ndaj nesh na kanë pamundësuar që ne të paguajmë pagat e punëtorëve” ka thënë Hasani.

Hasani ka shtuar se kompania e ka të pamundur të rezistojë vonesat me muaj të tërë ndaj punëtorëve të tyre dhe se për këtë ai ka dërguar shkrese elektronike për të kërkuar sqarim.

“Me datën 6.11.2017 ne kemi dërguar një shkresë elektronike për të kërkuar sqarim për vonesën e pagesave që tash më kanë kaluar më shumë se 4 muaj, dhe përgjigjja qe kemi pranuar se me rishikimin e buxhetit i cili është aprovuar tash sa ditë në parlament presim që të kryhen obligimet ndaj kompanisë sonë. E kemi të pamundur që ti rezistojmë vonesave me muaj të tërë” ka shtuar Hasani, zyrtar për financa në këtë kompani” është deklaruar Hasani, zyrtar për financa në këtë kompani.

Hasani me tutje ka shtuar se pagesat e punëtorëve që dikund janë 31 mijë euro janë për shkak të vonesave të pagesave nga institucionet e ndryshme ku janë të kontraktuar punëtorët e kësaj kompanie.

“Pres që projektligji për buxhetin të nënshkruhet nga presidenti sa më parë dhe që punëtorët të marrin pagat të cilat u janë vonuar që disa muaj.  Shpresojmë që kjo të kryhet në fund të kësaj jave dhe ne menjëherë do të paguajmë borxhet ndaj punëtorëve” është shprehur ai për Indeksonline.

Indeksonline mëson se përveç punëtorëve në spitalin e Prizrenit, edhe disa punëtor tjerë të kësaj kompanie  janë pa paga që katër muaj.

Një punëtor në kushte anonimiteti ka për Indeksonline ka thënë se ata janë të shqetësuar për shkak se nga rrogat që marrin prej punës së sigurimit mbajnë familjet e tyre.

E me shqetësuese mbetet fakti që dy punëtor të  kësaj kompanie kanë lënë punën për shkak të pagave.

Indeksonline ka kontaktuar me menaxherin e  kësaj kompanie në spitalin e Prizrenit, mirëpo ai nuk ka dashur të jep detaje lidhur me këtë, duke thënë që kjo është përgjegjësi e kompanisë së sigurimeve në Prishtinë.

Indeksonline ka siguruar një listë të këtyre punëtorëve të cilët janë pa paga që katër muaj.

 

 

 Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshim-plotësimin e rishikimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2017 me 22 tetor të këtij viti.

Ndërsa, me 30 tetor, komisioni për buxhet dhe financa ka miratuar amendamentet e projektligjit për rishikimin e buxhetit.

Tani më pritet vetëm nënshkrimi i presidentit dhe që këta punëtor t’i gëzojnë pagat e tyre. Kjo Kompani ka mbi një mijë punëtor./Indeksonline/Laureta.Thaci/