19:00 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

17 mijë të rinj në ethe, presin me padurim rezultatet e testit për polic

Më shumë se 17 mijë e 600 të rinj që aplikuan për t’u bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, iu nënshtruan provimit me shkrim javën e kaluar.

Për shkak të numrit të madh të të interesuarve, provimi është mbajtur të shtunën dhe të dielën në nivel të Drejtorive Rajonale të Policisë.

Pas këtij provimi, ata kandidatë që kanë kaluar me sukses testin me shkrim (minimumi 70% të pikëve), do të fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar pastaj sfidës së radhës, shkruan Indeksonline.

Kështu, më të suksesshmit do të vazhdojnë me testin fizik, që është faza e dytë e konkursit.

Mirëpo, për rezultatet e këtij konkursi që ngjalli interesim tejet të madh, Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë afat të caktuar.

Indeksonline ka provuar të kontaktoj me zyrtarët policor, por të cilët nuk shprehën gatishmëri të tregojnë se kur do të mund të dihet cilët janë kandidatët që kanë kaluar me sukses testin me shkrim.

Policia para mbajtjes së testit ka njoftuar se rezultatet do të publikohen në faqen zyrtare të saj, duke lënë kështu në pritje kandidatët.

Kujtojmë se rreth 18 mijë të rinj aplikuan për afër 300 vende pune në Policinë e Kosovës. Konkursi ishte hapur më 16 prill dhe u mbyll me 10 maj, derisa u deshën katër muaj që kandidatët t’i nënshtrohen testit. /Indeksonline/