18:06 / E Shtunë, 14 Korrik 2018 / indeksADMonline

19 Komuna të Kosovës kërkojnë të pavarësohen!

Para shtatë vitesh, kryeministri i atëhershëm, tash president, Hashim Thaçi u kishte premtuar banorëve të Rugovës, Gjonajt, Zhegrës, Kievës,Hogoshtit,Komoranit, etj., se këto vende do të ktheheshin në komuna të reja.

Këto premtime të bëra në fushatë zgjedhore, Thaçi i kishte përsëritur edhe para zgjedhjeve parlamentare të 2014-tës, por që akoma nuk ka ndodhur diçka e tillë, shkruan Indeksonline.

Për këtë premtim të ish-kryeministrit, Qeveria aktuale e drejtuar nga Ramush Haradinaj nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga vendet e lartpërmendura.

Në një përgjigje për Indeksonline, Qeveria e Kosovës ka sugjeruar të konsultohemi me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Kërkesat për krijimin e Komunave te reja pranohen nga MAPL. Ju lutem drejtohuni atje për të marrë informacione të sakta për numrin e kërkesave. Zyra e Kryeministrit nuk ka pranuar ndonjë kërkesë specifike”, thuhet në përgjigjen e ekzekutivit.

Derisa në MAPL thonë se janë disa vende që kanë bërë kërkesë të regjistrohen si komuna të reja në vete, duke mos u varur nga komunat e tanishme.

Për Indeksonline, nga kjo ministri kanë thënë se bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave, MAPL si autoritet përgjegjës për qeverisje lokale i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka pranuar kërkesa të disa lokaliteteve për formimin e komunave të reja.

“Numri i kërkesave të pranuara është 19 (nëntëmbëdhjetë). Mbi bazën e legjislacionit në fuqi, MAPL e ka shqyrtuar secilën kërkesë dhe sipas legjislacionit në fuqi, themelimi i komunave të reja bëhet vetëm me ligj. Me qëllim të dhënies së orientimeve përmbajtjesore për reformën e pushtetit lokal, sipas strategjisë për vetëqeverisje lokale, MAPL në bashkëpunim me SDC janë në proces të hartimit të studimit të fizibilitetit për vetëqeverisjen lokale”, thonë nga ministria në fjalë.

Kërkesën për t’u bërë komunë e re në vete, e para e kishte bërë Zhegra e Gjilanit, në maj të 2006-tës.

Vendet tjera që kërkojnë të bëhen komuna të reja janë: Orllani (Podujevë), Runik (Skenderaj), Zym (Prizren), Rogovë (Gjakovë), Hogosht (Kamenicë), Reçan (Prizren), Gorë (Dragash), Rogaçicë (Kamenicë), Krushë e Madhe (Rahovec), Vitomiricë (Pejë), Komoran (Gllogoc), Ponashec (Gjakovë), Llapjas apo ish-Kërpimeh (Podujevë), Janjevë (Lipjan), Pozhoran  (Viti), Xërxë (Rahovec), Magurë (Lipjan) dhe Kievë (Malishevë). /Indeksonline/