10:12 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

54 vjeçari i vrarë në Fushë Kosovë, telefonoi policinë dhe u tha disa fjalë

Behram Ibishi, 54 vjeç që nga paslufta punonte si roje në kompaninë private “Lesna”, në Fushë Kosovë.

Në orët e hershmë të së dieles (5 gusht) ai është qëlluar me armë zjarri po në vendin e tij të punës. Ndërkohë, që plagët e rënda kanë qenë të papërballueshme për të ani pse me ndihmë të shpejtë është dërguar për në QKUK.

Rasti është konfirmuar për “Indeksonline” nga Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, të cilët kanë treguar se është hapur rasti si vepër penale “Vrasje e Rëndë”.

“Një person B.I 54 vjec, nga persona te dyshuar është plagosur me arme zjarri dhe i njëjti pas transportimit ne QKUK ka ndërruar jete”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Indeksonline mëson se i ndjeri ka telefonuar policinë pas plagosjes.

“Hajnat m’kanë gjujt”, citohet tu ketë thënë i ndjeri policisë, tregojnë familjarët e tij.

Ndërkohë që familjarët e tij, tashmë kanë hapur të pamet.

Në kushte anonimiteti, ata kanë folur për rastin në fjalë, derisa thonë se dyshimet i hedhin tek disa persona që si plan e kishin të kryenin vjedhje.

“Ka qenë shumë punetor i mirë. Në atë vend ka punuar prej mbas luftës. Na dyshojmë që hajnat e kanë bërë vrasjen pasi që shumë shpesh ka qenë pikë e tyne për me kry vjedhje aty. Sa herë që ka ndodh vjedhje, ata i kanë shti punëtorët me i pagu dëmet. Pas plagosjes ai ka thirre policinë, ku sipas tyre u ka treguar se hajnat e kanë plagos ”, ka thënë një familjar i viktimes.

Sipas tyre, tentim për vjedhje në këtë kompani  kishte edhe para 3 muajve, por që pronarët nuk kishin ndërmarrë asgjë.

“Po edhe para 3 muajve hajnat kishin provu me vjedhë, fatkeqësisht pronarët nuk kanë ndërmarrë asgjë, pasi që edhe nëse është kryer vjedhje, e kanë pagu punëtorët”, kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.

54- vjeçari, pas vetës ka lënë bashkëshorten dhe 5 fëmijë, 4 vajza dhe një djalë.

Ndërkohë që lidhur me rastin me merren organet e hetuesisë. /Indeksonline/