14:19 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

6 kompani konkurrente për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka mbajtur konferencë për media, ku u raportua se deri ku kanë shkuar punët për hartat zonale, për shkollat PFI si dhe parkingun te Fakulteti Filologjik.

Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota tha se deri në nëntor do të shpallet kompania e përzgjedhur për ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Ai bëri të ditur se vlera e investimit është rreth 12 milionë euro, kohëzgjatja e koncesionit 25-40, ndërsa sipërfaqja do të përfshijë 13 mijë e 990 metra katrorë, me minimum 500 vend parkingje, deri në dy nivele. Siç tha ai, pjesa mbi, do të kthehet në gjelbërim, kështu që një prej kushteve për përzgjedhjen e fituesve do të jetë ajo se si e trajton pjesën sipër parkingut.

“Tash i kemi filluar procedurat. Kërkesa për kualifikim është që ne të kualifikojmë ato kompani që kanë potencial për ta realizuar këtë projekt. Janë paraqitur 6 kompani dhe deri javën e ardhshme do t’i përzgjedhim kompanitë të cilat më pas do të garojnë me propozimin. Kah fundi i nëntorit do të kemi kompaninë e cila e fillon punën. Ndërtimi do të zgjasë diku rreth 18 muaj prej momentit kur e merr kontratën”, tha ai.

Sa i përket hartave zonale, Bashota theksoi se ka pasur probleme në atë se si është zhvilluar procedura e planeve rregullative.

“Shumë shpesh ka divergjencë në mes të planit rregullativ dhe planit komunal. Ekzistojnë dy plane dhe e hutojnë dikë që dëshiron të ndërtojë. Sa për sqarim ne në hartë zonale kemi punuar gjatë, ka zgjatur gati 4 vite ky proces. Tani jemi duke e kryer këtë plan”, tha ai.

Ndërsa për ndërtimin e shkollave PFI me PPP, ai tha se Komuna e Prishtinës do të ndërtojë 5 shkolla të cilat të të cilat do të paguhen për 15 vite. Sipas tij, në këtë mënyrë, kur është vetëm një operator, procesi shkon shumë më shpejt.

“Ne po i ndërtojmë 5 shkolla tash dhe po i shpaguajmë për 15 vite. Kështu ka ndodhur edhe në Gjermani. Për këtë punë ne kemi bashkëpunim me IFC (Bankën Botërore). Këtë konkurs e ka fituar Mazzanti, e cila tashmë ka një draft”, tha ai.