09:16 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

7 vjet nga vrasja e Diana Kastratit babai i saj kërkon ekstradimin dhe dënimin e vrasësit

Edhe pse kanë kaluar 7 vjet nga vrasja e Diana Kastratit, i dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari, vazhdon të endet i lirë. Edhe pse organet e shtetit spanjoll kishin pranuar se Jashari gjendet në këtë shtet, ata asnjëherë nuk i ishin përgjigjur kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e tij në Kosovë dhe e gjithë kjo në mungesë të një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes të autoriteteve kosovare dhe të atyre të Spanjës, e cila ende nuk e ka pranuar Kosovën si shtet.

Kanë kaluar 7 vjet qëkur 27-vjeçarja Diana Kastrati ishte qëlluar për vdekje në qendër të Prishtinës para syve të shumë kalimtarëve nga ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari.

Ishte mëngjesi i majit të vitit 2011 kur Diana Kastrati ishte nisur nga shtëpia e saj për në Fakultetin e Mjekësisë, në të cilin edhe po studionte, mirëpo jo shumë metra larg shtëpisë së saj rruga i ishte ndërprerë nga ish-bashkëshorti, i cili e kishte qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend, shkruan më tutje “Zëri”.

Menjëherë pas kryerjes së veprës i dyshuari Adnan Jashari ishte arratisur nga Kosova për të përfunduar në Spanjë, në shtetin i cili ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, duke e shfrytëzuar mungesën e marrëveshjes së bashkëpunimit mes autoriteteve spanjolle dhe atyre kosovare për mundësinë e ekstradimit të tij në Kosovë.

7 vjet nga vrasja e vajzës së tij Gëzim Kastrati, babai i Dianës, kërkon të bëhet më shumë për ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.

Ai thotë se familja e tij nuk ka asnjë përgjigje nga organet e drejtësisë kosovare  rreth mundësisë së ekstradimit të Jasharit në Kosovë.