21:23 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

A do të vijë Rita Ora në Kosovë për 17 shkurt? Flet Këshilli Organizativ (Foto)

Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës po afron, ndërkaq përgatitjet për këtë ditë të veçantë thuajse veç kanë nisur.

Mysafirëve u janë dërguar ftesat, janë vendosur kontaktet edhe me disa prej yjeve kosovare në botë, por ende zyrtarisht nuk është konfirmuar ardhja e askujt.

Në Këshillin Organizativ thonë se ende është herët të flitet për mysafirët apo programin dhe se kjo do të bëhet kur gjithcka të jetë e sigurt.

“Ne jemi Këshill Organizativ dhe flasim kur t’i kemi konfirmimet. Kontaktet janë vendosur, por ende nuk kemi konfirmime zyrtare”, ka thënë Adil Behramaj, i pyetur nëse vjen Rita Ora per 17 shkurt.

Ky zyrtar i Këshillit Organizativ ka thënë se lajmet me burime të paidentifikueshme apo të ngutshme mund ta dëmtojnë organizimin dhe mbarëvajtjen e tij.

“Edhe afër 1 muaj nuk nisin ditët festive, prandaj ka kohë për të folur dhe konfirmuar”, ka thënë Behramaj përmes telefonit.

Ndryshe, ardhjen e Rita Orës e ka konfirmuar këshilltari i zëvendëskryeministrit Pacolli, Jetlir Zymberaj.