21:56 / E Mërkurë, 27 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

A ka shpresë më për Gani Dreshajn? Tregon njohësi i çështjeve juridike

AAK së fundi ka pranuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar ankesën e kësaj partie duke i dhënë të drejtë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në rastin e rivotimit për kryetar të Komunës së Istogut.

Por pas kësaj hapi i radhës nga AAK-ja në Istog, ishte ankesa në Gjykatën Kushtetuese, për të gjitha shkeljet që ata mendojnë se janë bërë në ditën e votimit në këtë komunë.

Lidhur më këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar Njohësin e Çështjeve Juridike, Mazllum Bajraliu, i cili ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese as nuk mund të paragjykohet as me përafërsi se lëre më me saktësi se çfarë mund të ndodhë.

“Nuk e dimë përmbajtjen e problemit, të shkeljeve vetëm që është bërë publike se 14 ankesa janë dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në procedura por nuk mund të dihet se cilat janë pretendimet e tyre në mënyrë që të gjykohet se çfarë mund të ndodhë nga Gjykata Kushtetuese”,ka thënë Baraliu.

Gjithashtu Baraliu ka shtuar se Kushtetuesja merret me atë se nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, apo është cenuar e drejta e votës për të cilën vendosin më pas shumica e gjyqtarëve në këtë Gjykatë.

“Nëse ka pas shkelje të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pra është cenuar e drejta e votës që është e drejtë politike, atëherë mundet që parimisht në bazë të Kushtetutës, të ligjeve në fuqi, gjykata ka bazë të drejtë që të pranojë dhe shqyrtojë fillimisht kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së atyre veprimeve. Ka pasur apo jo shkelje të të drejtave të njeriut, pra nëse ka të bëjë  me tjetër gjë, atëherë nuk merret Gjykata Kushtetuese. Pra për këto procedura, për këto çështje varet e gjitha nga disponimi i Gjykatës, janë aty stafi i raportuesve që e merr lëndën, e shiqon dhe më pas raporton si dhe votat e shumicës së gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese e sjell një epilog të vendimit”, ka përfunduar Baraliu./Indeksonline/