22:26 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

“A të vras veten, a të shes trupin?”, letra prekëse e studentes nga Kuçova e cila kërkon përgjigje

E kemi thënë shpesh që shoqëria jonë nuk është e arsimuar, ne mësojmë vetëm të shkruajmë dhe të lexojmë, mendimi kritik ka “vdekur” në ambientet tona universitare. Megjithatë, si çdo gjë që ka një shkak edhe keqarsimimi e ka një të tillë, madje guxojmë të themi disa syresh. Gjendja ekonomike është një prej faktorëve, politikat shtrënguese të aplikuara nga qeveritë ndër vite po ashtu e kanë bërë arsimin të pa aksesueshëm nga të gjitha shtresat, por edhe mungesa e revoltave studentore është një krah që “ndihmon” Ministrinë e Arsimit të hedhë valle mbi shpinën e rinisë. Një studente që ndjek fakultetin në Tiranë, por me origjinë nga Kuçova, ka shkruar për JOQ.al një letër vërtet prekëse që me gjasë të gjithë studentët do e ndjejnë.

Mora rrugën për në Tiranë dhe isha vetëm 20-vjeçe. Kisha fituar gazetarinë dhe prindërit e mi ishin njerëzit më të lumtur atë verë të vitit 2013-të, edhe pse ekonomia jonë është rrafsh me tokën.

Mbylla 3- vjeçarin me nota shumë të mira dhe ai që më mbajti në fakultet ishte vëllai im emigrant në Gjermani, i cili më ushqente, më paguante studimet, më dërgonte para që të mos ndihesha inferiore në rrethin shoqëror, e njëkohësisht mbante edhe dy prindërit
Vëllain ma kthyen dhe kjo na ra si bombë, sepse ëndrra e tij bashkë me timen për një jetë më të mirë u prenë. Ndoshta dikush do pyesë se pse nuk punoj vetë për të nxjerrë jetesën time dhe unë do ju përgjigjem.

Kur erdha në fakultet, babai im më tha që detyra ime ishte vetëm të studioja dhe të bëhesha dikushi. Arsimimi ishte primar për mua dhe familjen time dhe për 3 vite ja dola të mbahem e harrnuar ekonomikisht.

Këtë vit kam filluar masterin po tek Fakulteti i Filologjikut dhe jam në hall të madh. Duhet të paguajë këstin e parë të tarifës, i cili është 750 mijë lekë të vjetra, kam kursyer diçka me aq sa kam mundur, por më ka rënë si bombë kur pashë njoftimin në faqen e fakultetit që duhet ta paguajmë brenda datës 28 shkurt. Kësaj i thonë të të vënë lakun në fyt!

Sikur tarifa të ishte më e ulët apo e keqja më e vogël, sikur afati për ta paguar të ishte deri nga fundi i muajit maj. Po detyrohem të braktis shkollën dhe të filloj ndonjë punë me 150 mijë lekë muaji në fasoneri apo call center, sepse trupin nuk mund ta shes! Nëse futem në punë mund të kursej ndonjë lek mënjanë ama më dhemb zemra për prindërit e mi. Ata ndihen të rënë moralisht, sepse toka u është shembur nën këmbë sa herë flitet për tarifën e studimeve të mia dhe nuk kanë pasur mundësinë të ma paguajnë. Im atë punon, mamaja jo. Ka qenë mësuese frëngjishteje dhe tani është pa punë, ka punuar si pastruese në një institucion disa koha por e hoqën pas zgjedhjeve. Tani është pa punë.

Unë dua të studio, por ky sistem po ma bën të pamundur! Shoh shumë raste që bashkëmoshatarët mi kanë rënë në depresion, e deri në raste ekstreme kanë vrarë veten nga pamundësia ekonomike, por mua nuk ma bën zemra për një akt të tillë për të nxjerrë ndonjë lek, sepse ka në plan të emigrojë sërish.
A ka student ky vend?! A e ndjen kush hallin tim që t’më bashkohet dhe për besë do jem e para që dal me të në shesh dhe ulëras për të drejtat tona universal, arsim publik falas.

Prindërit e mi kanë studiuar falas në Shqipëri, pse tani kjo nuk është e mundur?!

Rama dhe Nikolla kanë bërë reformë në arsim, por ajo do na zhysë edhe më shumë me kalimin e viteve. Studentët shqiptarë janë mbi llucë që po I thith çdo ditë e më shumë drejt fundit.

Shohim që vriten të rinj, drogohen të rinj, ikin nga Shqipëria, fusin kokën në forume partiake, kanë mbushur call centerat, e sërish xhepat I kemi gropë!
Student nuk duhet të punojë, student ka për detyrë vetëm të mendojë dhe të rritet intelektualisht apo profesionalisht.
A di kush të më thotë cila është zgjidhja pa qenë nevoja të pi helm, të hidhem nga ballkoni, të shes, trupin dhe pa iu ndarë arsimit?!”