17:58 / E Diele, 22 Korrik 2018 / indeksADMonline

AAK ende nuk ka vendosur për takimin e thirrur nga Veseli

Ftesës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për një takim të përbashkët me udhëheqësit e partive politike parlamentare për të arritur një konsensus nacional për fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi, duket nuk do t’i përgjigjen pozitivisht partitë opozitare.

Deri më tash kundër janë deklaruar Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa LDK dhe PSD thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim.

Por, për këtë ftese nuk kanë vendosur ende as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe pse është pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike që udhëhiqet nga Veseli, ende nuk kanë një qëndrim zyrtar se a do të merre pjesë në takim.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ndonëse ka thënë se ende nuk e kanë shqyrtuar se a do të marrin pjesë apo jo, tha se qysh në fillim të tryezave me partitë politike janë shprehur të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre.

“Ende nuk e kemi shqyrtuar, por sigurisht që ne kemi thënë qysh në fillim të takimeve që janë kërkuar për tryezë që do të jemi gjithmonë të gatshëm të japim kontributin tonë”, tha ai.

Ndryshe, sipas ftesës thuhet se takimi do të mbahet  nesër, e hënë, në ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës. Takimi do të jetë i mbyllur dhe secili subjekt politik do të përfaqësohet në bazë të formatit 1+1.