18:20 / E Mërkurë, 17 Janar 2018 / indeksADMonline

AAK nuk ndërron qëndrim për Specialen

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket votimit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Mendimin, anëtarë të kësaj partie nuk ka arritur t`ua ndërrojë as ambasadori amerikan, Greg Delawie i cili sot përmes një mesazhi ishte mjaft i qartë se do të ketë pasoja specifike dhe të ashpra për politikanët që veprojnë kundër Speciales.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj ka thënë për “Indeksonline” se në momentin që sillet në Kuvend si rend dite shfuqizimi i Dhomave të Specializuara, ai bashkë me Aleancën do të votojë pro, madje me kënaqësi.

“Personalisht jam nënshkruesi i parë për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara dhe i qëndroj mbrapa nënshkrimit tim. Kur të vije në seancë do votoj pro shfuqizimit, unë dhe Aleanca, ky është qëndrim i krejt partisë. Edhe ne jemi deputetë të zgjedhur të popullit dhe çdo ndërhyrje në demokraci, i bie që ne nuk jemi shtet demokratik. Në këtë rast, momentin që mblidhet Kryesia, sillet në Kuvend si rend dite pika e shfuqizimit për Dhomat e Specializuara, do e votoj me kënaqësi”, është shprehur ai.

Demaliaj ka deklaruar se kërkesa e AAK-së lidhet vetëm me Dhomat e Specializuara, të cilat kërkon që të sillen në Kosovë dhe jo jashtë saj. Sipas tij, këtu mund të vijnë edhe gjyqtarët e prokurorët ndërkombëtarë.

“Ne nuk jemi që krimet që kanë ndodhur të mos gjykohen, por ajo gjykatë le të vendoset në Kosovë. Ne nuk jemi ta shfuqizojmë Gjykatën Speciale, vetëm ligjin për Dhomat e Specializuara. Nuk kanë nevojë me derdhë qindra miliona euro që të akuzuarit të shëtitën nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe në Hagë. Ne i kemi pasur edhe UNMIK-un edhe EULEX-in. Le të vijnë edhe gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, por le të vendosen në Kosovë. Plus është edhe kjo njëanshmëria etnike që po ndodhë, pretendohet vetëm për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Sa i përket deklaratës së Delawie-s, unë nuk i komentoj deklaratat e ambasadës amerikane por demokracia tek ne duhet të jetë në kuptim të plotë dhe jo i kushtëzuar”, ka thënë ai ndër tjera.

Por, duhet theksuar se sot Delawie u ka dhënë përgjigje politikanëve se përse Specialja nuk do të vije në Kosovë, por do qëndrojë në Hagë. Ai ka bërë me dije se Kosova nuk është e aftë që të ndajë drejtësi për profilin e lartë dhe dëshmitarët vazhdojnë të mbeten subjekt i dhunës dhe kërcënimit.

“Ne kemi investuar shumë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por ky sistem ende nuk e ka demonstruar që është i aftë që të ndajë drejtësi në rastet e profilit të lartë dhe dëshmitarët vazhdojnë që të jenë subjekt i frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës. Ende nevojitet një mekanizëm i jashtëm. Drejtësia për viktimat ka pritur kohë të mjaftueshme”, ka deklaruar Delawie.

/Indeksonline/