Abdixhiku fton Qeverinë për nivelizim të pagave pa përjashtime
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka treguar se ka nënshkruar rekomandimin e Komisionit për Buxhet, që bën zvogëlimin e pagave të menaxhmentit të Trustit për 25 për qind.
Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, duke thënë se kjo edhe do i nivelizojë ato me të Bankës Qendrore, transmeton Indeksonline.
Me këtë rast, ai ka bërë thirrje për nivelizim të pagave në vend, për të gjithë pa përjashtim.
Ky është postimi i tij:
Shkojmë edhe me një.
Sot nënshkrova rekomandimin e Komisionit për Buxhet që bën zvogëlimin e pagave të menaxhmentit të Trustit për 25%; e i nivelizon ato me të Bankës Qendrore. I falenderoj gjithë anëtarët e Komisionit që ideuan dhe votuan këtë rekomandim.
Konsideroj se paga publike prej 5,000 eurove është disproporcionale me realitetin ekonomik e social në Kosovë. Ajo para së gjithash paraqet mosrespekt ndaj takspaguesve kosovarë. Po me kaq puna jonë s’mjafton. Prandaj e ftojmë qeverinë që të sjellë Ligjin mbi Paga me qëllim të nivelizimit të tyre në vend – për të gjithë pa përjashtim./Indeksonline/