16:00 / E Mërkurë, 24 Janar 2018 / indeksADMonline

Adhuruesit e vrapimit themelojnë organizatën “X Trailers”

Një grup i dashamirësve të vrapimit në natyrë, kanë themeluar organizatën ‘X Trailers’ në Prishtinë. Të motivuar nga dëshira e vrapimit dhe miqësisë me njerëz të cilët ndajnë të njejtin pasion, ata vendosën të përfaqësohen me organizatën në fjalë.

Aktivitetet e tyre përfshijnë edhe një diciplinë krejtësisht të re në Kosovë, atë të vrapimit në shtigje ‘Trail Running’ dhe ‘Ultra Trail Running’, që është diciplinë sportive në mes të bjeshkatarisë dhe atletikës dhe realizohet në distance 40 km deri në 250km.

Themeluesit e kësaj organizate janë të parët që kanë sjellur konceptin e ‘Trail Running’ në Kosovë.

Ky grup përmes vrapimit promovon edhe ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e natyrës duke vetëdijësuar të tjerët për rëndësinë e ambientit.

Nëpërmes aktiviteteve fizike që organizon kjo organizatë, ata synojnë të sjellin vrapues profesional por edhe fillestar  në gara ndërkombëtare  si: ‘Ultra Trail du Mont Blanc UTMB’, ‘Gran Canaria’, ‘Eiger’ dhe gara të tjera.

Ky grup është themeluar mbi parimet e pozitivitetit, unitetit dhe motivit për vrapim.

Drejtori ekzekutiv i ‘X Trainers’, Astrit Rexhaj, për Radio KFOR-in, tha: “Qëllim kryesor organizata jonë ka promovimin e jetës së shëndetshme përmes aktiviteteve sportive dhe  promovimin e diciplinës sportive ‘Trail Running’ dhe ‘Ultra Trail Running’, që janë koncepte të reja në Kosovë”, theksoi Rexhaj.

Pjesëtarët e kësaj organizate, po ashtu ftojnë të gjithë adhuruesit e vrapimit t’u bashkohen atyre për vrapim, çdo të martë dhe të enjte nga ora 06:15, dhe ditën e shtunë nga ora 7:30, në parkun nacional të Gërmisë.