17:29 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Adresa e parë e dy ministrave të Diasporës – Shkolla shqipe në Nju-Jork

Për herë të parë në historinë e kombit, diaspora shqiptare po përfaqësohet në nivel ministrash nga dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria. Dardan Gashi, ministër i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, njëkohësisht zv. kryeministër në Qeverinë e Kosovës, dhe Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën në Qeverinë e Shqipërisë, kanë nisur sot në objektin e Konsullatës së Republikës së Kosovës takimet e përbashkëta, duke filluar me temën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në ShBA.

Majko dhe Gashi u takuan me drejtorët e shkollave shqipe në qytetin e Nju-Jorkut, me të cilët diskutuan për implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore të nënshkruara si në fushën e bashkëpunimit me dhe për diasporën, ashtu edhe marrëveshjen konkrete për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

“I përulemi punës suaj”, tha me këtë rast ministri Majko, i cili po ashtu në vizitën e tij të parë në cilësi të ministrit të Diasporës në ShBA, kërkoi nga drejtorët e shkollave një koordinim më të mirë në të ardhmen.

“Shkolla verore është një projekt ambicioz që ka për qëllim të sjellë në Kosovë dhe Shqipëri nxënësit e moshave të ndryshme të shkollës shqipe, për t’u njohur më mirë me atdheun dhe me bashkëmoshatarët e tyre. Tani ky projekt për herë të parë bëhet së bashku nga dy ministritë në Kosovë dhe Shqipëri”, tha më tej ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, njëherësh zv. kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi.

Në fund të takimit, si pjesë e konkluzioneve ishte dakordimi për formimin e këshillit koordinativ të mësuesve për propozime të përbashkëta lidhur me ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporën amerikane. Në këtë kontekst, po ashtu u vendos për mbajtjen e festivalit të shkollave shqipe në fund të muajit maj.

Dy ministrat, më pas, vazhduan takimin me komunitetin shqiptar në Connecticut, ku me ndihmën e afaristit të suksesshëm, Richard Luka, është ndërtuar edhe Qendra e Kulturës Shqiptare, në të cilën,  përpos aktiviteteve kulturore për fëmijët e moshave të reja, organizohet edhe mësimi plotësues i gjuhës shqipe.

Në takimin e fundit me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, dy ministrat u njoftuan për aktivitetin e kësaj organizate, numrin e librave të botuar nga rreth 100 anëtarë të saj, ndërsa kërkuan mbështetjen nga të dyja shtetet, në mënyrë që krijimtaria e anëtarëve të shoqatës të jetë edhe më voluminoze. Në planin afatshkurtër, kjo shoqatë planifikon edhe funksionalizimin e një biblioteke historike me libra të vjetër të gjuhës shqipe nga arkivat e ndryshëm, të cilët janë mbledhur tashmë për vite me radhë.