11:38 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Adresohen problemet për të bërit biznes në Kosovë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi sot konferencën “Barrierat e të bërit biznes në Kosovë”, ku sipas drejtuesve të kësaj Ode, Kosova ende mbetet një nga vendet me më së paku investime në rajon.

Sot OAK ka prezantuar katër barriera për të bërë biznes, të cilat i adresohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë.  Agjencioni Pyjor i Kosovës është administruese e mbi 42 përqind të tokave pyjore në Kosovë, kështu që e bën njërin nga faktorët kryesor në tërheqjen e investimeve.

Ismet Mulaj drejtor ekzekutiv në OAK ka thënë se sot me politikat aktuale të Agjencisë së Pyjeve , nëse një investues është i interesuar që të investojë në një zonë e cila administrohet nga APK, ajo jep pëlqime vetëm deri në 5 vjet dhe atë vetëm për ndërtim të përkohshëm.

“ Cili biznes ka interes që të investojë në një zonë ku kontrata për shfrytëzimin e kësaj toke është deri në pesë vite. Asnjë biznes nuk ka arsyeshmëri që të investojë në kontrata kaq afatshkurtra”, ka thënë Mulaj.

Problemi tjetër që i adresohet APK dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale është se: të dy institucionet taksojnë një taksë për rikultivim, taksë e cila është e dyfishtë dhe është barrë për biznesin. Sipas tij, nuk ka asnjë investitorë serioz në sektorin minerar në Kosovë.