15:03 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ahmeti: Në pesë vjetët e ardhshme do të merremi me kanalizimet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se në pesë vitet e ardhshme do të merren me rregullimin e kanalizimeve në kryeqytet.

Sipas tij  kjo do të bëhet  për të evituar përmbytjet që po bëhen për shkak të reshjeve të shiut.

Ahmeti tha se punimet që do të bëhen në rrjetin e kanalizimit janë të kushtueshme, e për këtë arsye ai u shpreh se pret ndihmën e Qeverisë së Kosovës.

Këto deklarime kreu i Prishtinës i ka bërë në një konferencë ku janë paraqitur projektet infrastrukturore të vitit 2018.

“Në 5 vitet e ardhshme Prishtina do të merret goxha si shumë me kanalizime të cilat nuk janë projekte që duken se janë nëntokë, por janë tepër të rëndësishme për qytetin tonë. Pas përfundimit të ujit tash do të fokusohemi në kanalizim. Këto janë projekte të shtrenjta, shpresoj që do ta kemi edhe ndihmën e Qeverisë që të financohen një pjesë e kolektorëve, sepse Qeveria ka nënshkruar një kontratë me Qeverinë franceze për ndërtimin e fabrikës së trajtimit të ujërave të zeza të regjionit të Prishtinës, e cila do t’i trajtojë të gjitha ujërat e zeza. Mirëpo, unë e kam thënë që keni filluar mbrapsht se pa i pasur kolektorët nuk e di se çka do të trajtoni aty. Ideja është që të finalizojmë të gjithë kolektorët në mënyrë që ta kemi fabrikën”, tha Ahmeti.

Për këtë çështje, drejtori i Investimeve Kapitale, Gëzim Mehmeti, tha se në janar do të dërgohen të gjitha projektet në prokurorin që në pranverë të fillohet me punime.

Ahmeti është shprehur se probleme në kryerje të punimeve po u shkakton ligji i prokurimit, që po i detyron të shkojnë me çmimin më të ulët edhe kur e dinë që disa kompani nuk janë në gjendje që ta përfundojnë atë projekt që e marrin.

“Brengën tonë që kemi momentalisht me ligjin e prokurimit dhe po ashtu me funksionimin e disa prej institucioneve të cilat neve na detyrojnë gati se gjithmonë të shkojmë me çmimin më të ulët edhe kur e dimë që kompanitë nuk janë në gjendje që ta përfundojnë atë projekt. Shumë shpesh na ka ndodhur që ne i kemi kërkuar OSHP-së që disa kompani të futen në listën e zezë, ato ose nuk futen ose kur futen kompania mbyllet dhe e hapin me emër tjetër. Pastaj, po të njëjtat kompani aplikojnë, kur nuk i zgjedhim ankohen në OSHO dhe zakonisht fitojnë dhe pastaj ne ballafaqohemi me vonesa për shkak se kompanitë thjeshtë nuk e kanë kapacitetin për të përfunduar një projekt”, tha ai.