18:29 / E Mërkurë, 25 Prill 2018 / indeksADMonline

AKK del me sqarim rreth formularit të deklarimit të pasurisë për ministrin Bytyqi

Agjencia Kundër Korrupsionit ka sqaruar rastin rreth formularit të deklarimit të pasurisë të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i cili sot ishte cak i mediave për disa pasaktësi gjuhësore në regjistrin e deklarimit të pasurisë, më saktësisht në formularin e dorëzuar nga Shyqiri Bytyqi.

“Duam t’ia bëjmë të qartë mediave dhe publikut se, në rastin konkret, gjatë bartjes së të dhënave nga formularët individual në regjistrin e unifikuar të deklarimit të pasurisë, shprehjet: banesë, truall dhe trashëgimi janë regjistruar me të meta drejtshkrimore dhe për rrjedhojë janë bërë subjekt i trajtimit të mediave. Këto të meta janë mënjanuar dhe formulari është i korrigjuar është vendosur në regjistër”, thuhet në sqarimin e AKK-së.

Agjencia Kundër Korrupsionit i kërkon ndjesë Shyqiri Bytyqit për ndonjë shqetësim eventual që mund t’i jetë shkaktuar nga kjo pasaktësi dhe në të njëjtën kohë e siguron se fjala është për një gabim njerëzor në procesin e futjes së të dhënave në regjistër.

“Me këtë rast duam t’ju rikujtojmë se Agjencia në publikimet e ngjashme preliminare ka paralajmëruar opinionin për gabimet e mundshme të natyrave teknike dhe ka kërkuar nga zyrtarët e lartë që të njoftojnë Agjencinë për ndonjë gabim të mundshëm, në mënyrë që pasaktësitë dhe paqartësitë në publikim të evitoheshin me kohë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, përmes këtij njoftimi edhe një herë u është bërë thirrje zyrtarëve të lartë publikë që të vënë në dijeni Agjencinë Kundër Korrupsionit për ndonjë lëshim teknik që mund të jetë bërë gjatë përshkrimit të formularëve të deklarimit të pasurisë dhe transferimit të tyre në bazën e të dhënave.