20:15 / E Mërkurë, 04 Tetor 2017

Albanologu Elsie kujtohet nga kolegët akademikë (Video)

Për albanologun kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, që ndërroi jetë të hënën, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizoi mbledhje përkujtimore, njofton Klan Kosova.

Këtu drejtuesi i kësaj akademie, Hivzi Islami, tha se kontributi i Elsie për historinë, gjuhën e kulturën shqiptare është i madh.

Edhe akademiku, Rexhep Ismajli, tha se me Elsie kishte gjithmonë komunikim e sidomos viteve të 90-ta kur gjendja në Kosovë ishte vështirësuar.

Me Elsie, Ismaili kishte komunikuar edhe pak dit para se ai të ndërroj jetë.

Në ASHAK bënë me dije se pas vdekjes së Robert Elsie kanë pranuar shumë telefonata e mesazhe nga studiues të gjuhës shqipe, posaqërisht nga arbëreshët që kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e albanologut.

Përndryshe Robert Elsie, ishte anëtarë i jashtëm i AKASHK-së që nga viti 2000.

Ai konsiderohej si specialist i shumë fushave albanologjike. Elsie madje ka përkthyer shumë libra nga shqipja në anglisht dhe gjermanisht, përfshirë këtu edhe “Lahutën e Malsisë” të Gjergj Fishtës.