07:05 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Albin Kurti sot në gjykatë, s`dihet a do dëshmojë Kadri Veseli

Katër deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të paraqitën sot përsëri para Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli do të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e fundit lidhur me këtë rast u mbajtur më 7 dhjetor ku kanë dëshmuar deputet Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në këtë proces gjyqësor tashmë kanë dëshmuar dëshmitaret-të dëmtuara, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, deputetët Xhavit Haliti dhe Nuredin Ibishi, si dhe dy punëtoret e Administratës së Kuvendit të Kosovës Shpresa Gosalci dhe Leonora Halimaj.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojnë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe deputeti Armend Zemaj.

Albin Kurti dhe Donika Kadaj- Bujupaj aktualisht janë në masën e paraburgimit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan ku po mbahen pasi që thyen masën e arrestit shtëpiak e cila u ishte caktuar ndaj tyre.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit ishin arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.