00:48 / E Shtunë, 23 Qershor 2018 / k.v

Albin Kurti vlerëson Xhakën e Shaqirin, i fyen shumë politikanë kosovarë

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar në orët e vona të natës pas fitores së madhe të Zvicrës në përballjen me Serbinë. Në përgëzimet e Kurtit për shqiptarët e Zvicrës, i pari i Vetëvendosjes hedhë akuza edhe për shumë politikanë kosovarë që sipas tij po bëjnë kontrabandë me Serbinë. Madje, Kurti këtë e quan si hipokrizi.

“Dy shqiptarë të talentuar, Xhaka e Shaqiri ia dhuruan sot fitoren ekipit kombëtar të Zvicrës, që fitoi 2 me 1 përballë Serbisë, në Kupën e Botës.

Dy mendime të shpejta dua t’i ndaj me juve.

I pari: Shqiptarët, si çdo popull, kanë mundësi të nxjerrin talente të nivelit botëror. Por terrenin për zhvillim deri më sot këto talente e kanë gjetur vetëm në tokë të huaj, në mërgim. Jemi ne, është Lëvizja ajo që ka detyrën të krijojë terrenin e përshtatshëm për zhvillimin e talenteve. Sa i përket sporteve, detyra jonë ka për të qenë ndërtimi i hapësirave bashkëkohore për stërvitje e lojë, masivizimi i sportit amatorial dhe specializimi serioz në sportin profesional, dhe kujdesi për talentet. E sigurisht, në aspektin politik, do të përpiqemi të punojmë për bashkimin e kampionateve me Shqipërinë, me synim përfundimtar edhe njësimin e kombëtareve. Vetëm ashtu do të mbërrijmë që t’ua mundësojmë talentëve tanë që ta përjetojnë atë sukses e atë gëzim edhe për atdheun e vet.

Së dyti: Shumë politikanë që bëjnë politikë pazaresh dhe kontrabandë me Serbinë, që kanë dëmtuar vazhdimisht Kosovën me pjesëmarrjen në negociatat pa parime, sot po ekzaltohen pse kombëtarja e Serbisë humbi lojën. Kinse patriotë? Hipokrizi.

Megjithatë, urime Xhakës e Shaqirit, për ndeshje të bukur – paraqitja e tyre na dhuron nga pak dinjitet gjithë ne, shqiptarëve” shkruan Kurti në Facebook./Indeksonline/

Temat: