23:25 / E Premte, 12 Janar 2018

Albin Tahiri garoi në Kupën e Botës në Zvicër, renditet i 43-ti

Fituesi i pesë normave olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang2018”, Albin Tahiri, ka garuar sot në Kupën e Botës, që po mbahet në Wengen të Zvicrës.

Sot garat u mbajtën në kombinim alpik (lëshim i shpejtë dhe sllallom), ku Albini doli i 43-ti nga 67 garues.

Në lëshim të shpejtë, skitari ynë, Albin Tahiri, pati kohën 1:52.74 sekonda, kurse në lëshimin e dytë 59.73 sekonda. Shtegu ishte i vështirë, për çka një pjesë e madhe e garuesve nuk e përfunduan garën.

Vendin e parë e zuri francezi Victor Muffat – Jeandet, me kohën 1:46.28 dhe 51.52 sekonda, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Të shtunën garat do të mbahen në lëshim të shpejtë.

Kujtojmë që Tahiri do të jetë bartës i flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.