12:35 / E Diele, 11 Mars 2018

Amaneti dëshmorit: Nëse ma shihni nënën, thoni mos të më qan

Njëri nga dëshmorët që dha jetën në luftimet e zhvilluara në Tetovë, është Hysni Xhemajli, i cili më 10 qershor 2001, ra në luftimet e zhvilluara me forcat maqedonase në Kalanë e Tetovës.

Hysniu edhe pse në moshë të re, ishte 17 vjeçar kur iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dhe sikurse në legjendat dhe tregimet heroike shqiptare, në frymën e fundit të jetës së tij, ua kishte lënë një amanet shokëve “nëse e shihni nënën time, i thoni që për mua kurrë lot mos të qet, sepse po shkoj ashtu siç kam dashur”.

E nëna Minire ia ka mbajtur amanetin, duke i kujtuar me dashuri dhe mall 17 vitet e jetës së djalit që i kaluan së bashku.

Ajo nuk harron të shënojë ditëlindjen e 34-të të Hysniut dhe së bashkë me nipin e saj 6 vjeçar Herolindin, e prenë tortën duke e uruar sikur të ishte aty i biri.

Hysniu i rritur në fashatin e thellë malor Verbicë e Zhegocit, në një shtëpi të ndërtuar me gur, në të cilën ende jeton një pjesë e familjes Xhemajli, sepse veç kujtimeve nga jeta e tyre, ajo shtëpi ishte edhe shtëpi-shtab e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në shtëpinë e rrethuar nga malet, zonja Minire i ka të freskëta kujtimet e kohës që ka kaluar me të birin Hysniun, për të cilin thotë se kishte një fëmijëri të vështirë, ashtu si edhe fëmijët tjerë, pasi çdo ditë i duhej të ecnin më shumë se 8 kilometra për të shkuar në shkollë dhe shumë i ri u detyrua të merrej më punë të rënda fizike për të siguruar ekzistencën e familjes, sepse pushtuesi ia kishte larguar dhunshëm nga puna babin, i cili punonte në minierë.

Ajo tregon për KosovaPress se ardhja e festave të marsit asaj i kujton data të veçanta, njëra nga to është edhe 8 marsi, që Hysniu ia kishte uruar për herë të fundit, para se të shkonte në luftën nga e cila u kthye me flamur.

“Është ditëlindja e Hysinisë, kur vjen 8 marsi, mi kujton ato ndjenjat e mia, ma kujton që e ka ditëlindjen dhe për herë të fundit që ma ka uruar 8 marsin”, thotë ajo.

Duke e shikuar vendin se ku e rriti Hysniun, ajo i kujton edhe bisedat e fundit që kishte më te dhe porosinë që ia kishte lënë.

“Dilte prej shtëpie, këtu në këtë shtëpinë që është rritë, thoshte ‘nënë mos u kthefsha dije që ushtar po shkoj’. I thoja ku po shkon o bir se lufta u kry, thoshte ‘jo, jo se hala s’e kemi kry, s’i kemi çliruar trojet tona’… Edhe një fjalë ma ka thënë, ‘nënë unë po shkoj, një herë me punu, e nëse nin se jam burgos, kurrë lot prej fytyrës mos i hjek, a në ardhsha ndryshe kurrë për mua mos qaj, kurrë lot mos qitë”, tregon ajo ndërsa shpjegon se gjatë gjithë kohës ishin të pandarë më vëllain e tij, Fauzin.

Ajo kujton edhe momentin kur ka marrë lajmin për rënien e djalit, të cilin lajm ua kishin dërguar një ekip i ushtarëve të KFOR-it.

“E pash që erdh kerri i KFOR-it, hyri në oborr, sikur të ma ndjekje zemra se ka ndodh diçka që janë ardhur. Edhe po vjen një përkthyese, më tha ‘mirëdita shoqe, a është shtëpia e Ramiz Xhemajlit?’ I thash po. Tha ‘askush tjetër nuk është këtu?’. Burrin e djalin nuk i kam këtu. Tha ‘a është dikush tjetër?’ Ka dal djali i kunatit. Tha ‘a mujona me hy brenda’. Kur doli djali i kunatit i kish lu çehrja, ata hipën në kerr edhe shkuan”, tregon Miniria, ndërsa thotë që në atë moment e kuptoi që djalin nuk e kishte më, edhe pse mundohej t’ia mbante të fshehur djali i kunatit, të cilit ushtarët e KFOR-it i kishin treguar se është vra.

“Kur doli djali kunatit e pash shumë të stresuar, i thash çka u ba inxhes, kallxom se inxhja po e din, ja është i vramë, ja është i plagosur. ‘Jo tha inxhe as i vramë as i plagosur’. Ka ardhur djali i madh, i tha çka u ba, tha Hysnia është i vramë, edhe unë veç kam tha, ‘o edhe kjo na pasa gjet’ edhe jam kthyer jam ul këtu para shtëpie. Vlora ka nga ma ka dhënë një gotë ujë, tha ‘nënë’, i thash jo nëna ju ka juve, edhe jam krenare”, thotë Miniria duke kujtuar momentin më të dhimbshëm të jetës së saj.

Të nesërmen ia kishin pru djalin të mbuluar me flamur dhe pastaj e kishin dërguar në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për të qëndruar përjetësisht pranë bashkëluftëtarëve të tjerë dëshmorë.

Ajo në momentet e dhembjes dhe krenarisë kishte kërkuar t’i takojë shokët e tij, që i kishin qëndruar pranë në momentet e fundit të jetës. Ata i tregojnë se gjatë kohës nga Tetova për në Kosovë, Hysniu ishte me vetëdije të plotë, ndërsa sapo kishin mbërri në spitalin e Prizrenit, para se ta dërgonin në sallën e operacioni ku edhe kishte ndërruar jetë, ua kishte lënë një amanet  për nënën e tij.

“Shokët e vetë që kanë bajt kanë qenë këtu, i kam vetë a ju ka la diçka amanet, ata nuk mundshin as me fol nga emocionet, thanë ‘jo veç ka thënë, nëse ma shihni nënën diku, thoni nënës mos të më qan, mos të qet lot për mua, se unë kam shkuar qysh kam pas qejf’… Këto kanë qenë fjalët e fundit që ua ka thanë edhe e kanë shti në spital, aty ka ndërruar jetë”, thotë ajo.

Ajo po ashtu ndjehet mirë kur vinë për ta vizituar shokët e Hysniut, tek të cilët e ndjen një pjesë të djalit të saj, e veçmas ushtarët me të cilët djali i saji kaloi momentet e fundit të jetës së tij.

Deri sa nëna fliste, babai Ramizi qëndronte në odën ku në murin e  saj kishte të varur një fotografi të Hysniut dhe emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.