11:15 / E Mërkurë, 04 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ambasadorja e re nuk është as trumpiste, as obamiste, është amerikane

Nga Ervis Iljazaj

Emërimi i ambasadorëve amerikanë në Shqipëri është pritur gjithmonë me interes për politikën shqiptare. Kjo për faktin se, ata kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në opinion publik, pasi besueshmëria e shqiptarëve te ndërkombëtarët, e sidomos tek amerikanët, për fatin tonë të keq, është gjithmonë më e madhe se sa te politika shqiptare.

Për këtë arsye, amerikanët në Shqipëri kanë luajtur rolin e arbitrit. Shpeshherë, si të gjithë ambasadorët e SHBA-së në këto vitet e tranzicionit shqiptar, kanë patur preferencat e tyre për një krah apo një krah tjetër politik, kryesisht atë të qeverisë. Kjo është normale, pasi bashkëpunimi politik i ambasadorëve bëhet nëpërmjet qeverisë. Mirëpo kjo nuk do të thotë aspak që politika e tyre është politikë personale. Është absurde të mendosh që ambasadori i shtetit më të fuqishëm të Botës, del nga linja kryesore e politikës së jashtme të përcaktuara në Departamentin e Shtetit.

Në këtë kuptim, ambasadorët amerikanë, të gjithë pa përjashtim, janë etiketuar, janë kritikuar apo edhe akuzuar për politika personale në Shqipëri. Rasti i fundit me Ambasadorin Donald Lu, është rasti më domethënës në këtë aspekt.

Kjo gjë u tha për Donald Lu, se është i majtë, që është Obamian, e etiketime të tilla nga këto, që e bënin punë e tij në Shqipëri të dyshimtë për opozitën shqiptare.

Kështu që, opozita shqiptare shpreson se, me largimin e Donald Lu-së, ambasadori i ri që do të vijë në Shqipëri, duke qenë se administrata është e djathtë, do të ketë një “dashamirësi” me të. Dhe, kjo preferencë e ambasadorëve amerikanë, është gjithmonë një kredit plus për palët politike shqiptare.

Më në fund është emëruar Ambasadori Amerikan i ri në Shqipëri. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka emëruar Kathleen Ann Kavalec, e cila do të jetë Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.

Zonja Kathleen, ka një karrierë të gjatë diplomatike, pothuajse 30-vjeçare. E në këtë kuptim, ajo nuk është as trumpiste, as antimajtiste apo e atashuar me etiketime të tjera, por është një funksionare e Shtetit Amerikan, një diplomate karriere.

Ata që presin që ambasadorja e re do të mbërrinte në Shqipëri si një antimajtiste apo antisorrosiste, me qëllimin për të rrëzuar mazhorancën aktuale, shpresojnë më kot, pasi kjo zonjë është në trupën diplomatike prej shumë vitesh dhe si e tillë, nuk ka asnjë përkatësi ideologjike, por vetëm atë të mbrojtjes së interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sepse diplomacia nuk ka ideologji, por vetëm interesa. Prandaj, nuk ka rëndësi aspak se çfarë administrate amerikane emëron një ambasador, e majtë apo e djathtë. I vetmi mision i diplomatëve amerikanë është mbrojtja e interesave të shtetit të tyre. Dhe interesat e SHBA do të vazhdojnë të jenë po të njëjta në Shqipëri dhe në Ballkan. Ato do të mbrohen pavarësisht ngjyrave politike amerikane apo shqiptare.

E vetmja gjë që mund të bëjë politika shqiptare, për të fituar mbështetjen e SHBA dhe ambasadorëve të tyre, është rreshtimi i qartë proamerikan dhe properëndimor, kundrejt çdo tentative për të krijuar aleatë ndërkombëtarë që janë antiamerikanë, vetëm për interesa të ngushtë politikë.

Në këto kohë të turbullta gjeopolitike, rreshtimi i qartë proamerikan i politikës shqiptare, nuk duhet marrë i mirëqenë.

Temat: