14:42 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Anulohet aktgjykimi për HIB-in, rasti i kthehet në rigjykim

Është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e naftës jociloresore ku i akuzuar ishte Kujtim Bucaliu, përfaqësues i HIB-Petrolit.

Avokati, Aranit Koci ka konfirmuar se ankesa e tij është aprovuar dhe se çështja penale i është kthyer gjykatës shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje.

“Sidoqoftë, nuk e kam pasur as dilemën me te vogël se ky aktgjykim do të anulohet. Padrejtësia ndaj HIB është korrigjuar ne shkalle te dyte”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, para katër muajsh Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykimin me anë të të cilit kishte dënuar fajtor Kujtim Bucaliun dhe HIB Petrol shpk, për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore.

Kryetari i trupit gjykues Rrustem Begolli kishte thënë se Kujtim Bucaliu dhe HIB Petrol shpk, me vetëdije kanë mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës duke vepruar në kundërshtim me kontratën duke vënë në qarkullim produktin e naftës që nuk i përgjigjet konformitetit lidhur me lëndët djegëse me ç’rast i kanë shkaktuar Komunës së Prishtinës dëm në vlerë të madhe.

Bucaliu u dënua me dënim unik, prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë eurove. /Indeksonline/