08:45 / E Enjte, 18 Janar 2018 / indeksADMonline

Arrestohet gjakovari i dënuar me 4 vjet e gjysmë burg për vjedhje  

A.Th., 31-vjeç nga Gjakova, është arrestuar nga Policia Kufitare e Shqipërisë në Aeroportin e Rinasit, pasi i njëjti posedonte dokumente të falsifikuara dhe pas verifikimit i njëjti rezulton që është i kërkuar nga autoritetet kosovare për dënimin në mungesë prej 4 vjet e gjashtë muaj burg për vjedhje me dhunë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare  si dhe Specialistët për Hetimin e Krimit  në Komisariatin e Policisë- Rinas, kanë  bërë ndalimin e shtetasit kosovar të shpallur në kërkim nga Policia Kosovare, konkretisht: A.Th., 31 vjeç, lindur dhe  banues në Gjakovë. Shtetasi i lartpërmendur  ishte  kthyer në kategorinë deportiv nga autoritetet policore Zvicerane me motivin se kishte kaluar afatin e qëndrimit”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Indeksonline.

Ky shtetas dispononte si dokument identifikimi një pasaportë biometrike Shqiptare në emër të një shtetasi tjetër nga Shqipëria  por me fotografinë e tij, pasaportë që e kishte bërë në Shqipëri në vitin 2011, kundrejt shumës prej 2000 euro.

“Gjatë procedurave të intervistimit nuk ishte bindës në lidhje me gjeneralitetet e pasaportës dhe pas verifikimeve të hollësishme rezultoi se ky shtetas ishte nga Kosova dhe jo nga Shqipëria. Pas verifikimit të gjeneraliteteve të sakta, rezultoi se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar në mungesë me 4 vite e 6 muaj burg për veprën penale “Vjedhje me dhunë””, ka njoftuar policia.

Policia e Shqipërisë tani e ngarkon kosovarin edhe për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave dhe i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Shtetasi A.Th.,  u transferua në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë tek autoritetet kosovare për veprime të mëtejshme./Indeksonline/