10:13 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / k.v

Arrestohet një person për vjedhjen e rëndë të ndodhur në Gjilan (Foto)

Një ditë pasi Indeksonline raportoi për një vjedhje të ndodhur javë më parë në Sllakovc të Gjilanit, ku u publikuan edhe fotografitë e personave të dyshuar, Policia e Gjilanit ka arritur të arrestoi njërin prej të dyshuarve.

Sipas policisë, vjedhja ka ndodhur me 6 nëntor të këtij viti, ndërsa pas hetimeve të zhvilluara, dje, më datën 14 dhjetor është arrestuar një i dyshuar, nën dyshimin se i njëjti, në bashkëveprim me dy persona tjerë, viktimës Agron Berisha ia kanë vjedhur tetë copë bateri 200 amperësh, të cilat janë përdorur për prodhimin e energjisë elektrike në plantacionin e fshatit.

I dyshuari, sipas Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje ndërsa hetimet përkitazi me vjedhjen ende janë duke vazhduar.

Agron Berisha nga Prishtina, javë më parë kishte përfituar një grant nga Ministria e Bujqësisë për rregullimin e energjisë solare në Sllakovc të Gjilanit, pasi që merret me kultivimin e pemëve/drunjve.

Por, vetëm pas katër ditëve që i kishte montuar pajisjet, disa persona ia kishin vjedhur ato.

Në një prononcim për Indeksonline, bujku Agron Berisha të mërkurën kishte deklaruar se ndonëse të dyshuarit janë kapur nga kamerat e sigurisë dhe  shihen fytyrat e tyre qartë, ende të njëjtit nuk janë arrestuar nga policia ndonëse këta të fundit i kishin thënë se janë nga rajoni i Ferizajt.

“Unë me profesion jam bujk. Kam aplikuar në Ministrinë e Bujqësisë për të fituar grantin e rregullimit të energjisë solare dhe pasi e kam fituar këtë grant menjëherë i kam vendosur pajisjet në plantacion, por dikush hyri dhe mi vodhi tetë akumulator, ku vlera e tyre e përgjithshme është 3200 euro”, kishte thënë Berisha./Indeksonline/