12:18 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Arrin në Klinikën e Neonatologjisë medikamenti që shpëton jetën e foshnjave

Në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot u bë dorëzimi i medikamentit Surfaktant

Ky donacion u bë i mundshëm në saje të bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm në mes të Aksionit për Nëna për Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares. Më shumë se 200 shishe të medikamentit. Kjo sasi njëkohësisht mbulon nevojën vjetore të furnzimit me këtë medikament jetëshpëtues.

Lajmin e bën të ditur, përmes një komunikate për media, organizata Aksioni për Nëna për Fëmijë.

Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të Surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e 1,800 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë.

Ardhja e këtij medikamenti jetëshpëtues në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2017 si “Let’s Dance” në Prishtinë, ngjarja “Meet Us Halfway” në New York, SHBA dhe ‘ Darka e Diasporës’ në Zvicër.