19:45 / E Mërkurë, 13 Qershor 2018

Arsyet e konfliktit ku u përfshinë familjarët e Sekiraqës

Sherri që ndodhi mbrëmë në mes të familjarëve të Enver Sekiraqës dhe dy personave të tjerë dyshohet të ketë filluar vite më parë.

Burime të Kallxo.com brenda Prokurorisë thonë se disa vite më parë, konkretisht në vitin 2015, Zenel Jashari, i cili mbeti i plagosur mbrëmë, dyshohet se e kishte plagosur Bahri Abazin, vëllanë e Jan dhe Fatlum Abazit, që të tre njerëz me lidhje familjare me Naser e Enver Sekiraqën.

Sipas këtyre burimeve, Jan Abazi ende nuk është arrestuar ndërsa vëllai i tij Fatlumi, dhe Naser Sekiraqa janë në arrest.

Madje, sipas burimeve, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e Zenel Jasharit që mbrëmë mbeti në spital si pasojë e plagosjes, meqë ky i fundit gjendet në arrati që nga viti 2015.

Rrjedhimisht, dyshohet se motivi i plagosjeve të djeshme ka qenë hakmarrja për vëllanë e Abazit.

Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se personi i dytë i plagosur me inicialet N.U., që kishte qenë së bashku me Zenel Jasharin në ato momente, nuk ka qenë i përfshirë në këtë konflikt më herët.

Sipas burimeve, gjithsej 17 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, dy nga predhat janë gjetur në këmbën e N.U., derisa nuk dihet se sa janë gjetur në trupin e Zenel Jasharit.