16:38 / E Hënë, 12 Shkurt 2018

Asambleisti i VV-së: Flamuri jo që s’do të hiqet, por do të ndalohet vendosja e çdo flamuri tjetër

Asamblisti i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi, përmes profilit të tij në Facebook ka bërë thirrje që nesër propozuar që të mblidhen nesër nga ora 8 në mëngjes tek rrethi i flamurit që të pengojnë ‘vendosjen’ e flamurit shtetëror.

“Propozoj dhe ju ftoj që nesër nga ora 08:00 në mëngjes e deri vonë të mblidhemi tek rrethi i flamurit, jo për ta ruajtur atë por për ta nderuar atë”, ka shkruar asamblisti i VV-së në Facebook.

Madje ai ka shkruar se aty nuk do të lejohet as të shtohet flamuri i Kosovës.

“Ai flamur jo që s’do të hiqet, por aty do të ndalohet vendosja e çfarëdo flamuri tjetër”, ka shkruar Azemi në Facebook.

Ai i ka quajtur “arrogant anti-kombëtarë” qytetarët që po duan ta heqin flamurin kombëtar për ta vendosur, siç e ka quajtur ai “flamurin e Ahtisarit”, duke aluduar në flamurin shtetëror.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e flamurit shtetëror.

“Qeveria as nuk ka kërkuar leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e flamurit të Ahtisaarit në atë lokacion dhe ky provokim i paarsyeshëm duhet të marrë fund. Ka mjaftë rrethe e vende tjera ku mund të vendosni flamuj, por jo në të vetmin vend ku e kemi flamurin kombëtar”, ka shkruar tutje ai.

Sot gjatë ditës, portokolli i shtetit ka njoftuar se flamuri shtetëror do të vendoset nesër.

Ndërsa është edhe një grup tjetër i qytetarëve që po kërkojnë vendosjen e flamurit shtetëror të Kosovës tek vendi i njohur si “Rrethi i Flamurit”.