14:08 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Asamblisti i VV-së: Komuna po mundohet të manipulojë me publikun

Asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani ka thënë se ai dhe banorët e tjerë të Kodrës së Trimave nuk e kanë kërcënuar asnjë zyrtar të Komunës së Prishtinës.

Në një prononcim për Indeksonline, Rrahmani ka thënë se banorët kanë shkuar në zyre të zyrtares së Investimeve Kapitale të Komunës së Prishtinës, Irfete Zejneli me konfirmim të vet kësaj të fundit.

Sipas tij, aty kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ata janë dëshmitarë se nuk ka pasur asnjë kërcënim.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka pasur asnjë kërcënim. Ky është një  tentim i manipulimi të publikut, nuk ka pse të ndjehet e kërcënuar nga kërkesat e qytetarëve.  Kanë qenë të njoftuar për këtë takim sot Shpend Ahmeti, Selim Pacolli, Agim Kuleta dhe Gëzim Mehmeti. Takimi është kërkuar me këtë të fundit,  por ai nuk ishte. Si zakonisht ikë nga qytetarët dhe nuk i takon asnjëherë ata. Unë kam qenë që nga fillimi në atë takim dhe asnjë kërcënim nuk ka pas. Për këtë është dëshmitar edhe Policia e Kosovës që ishte e pranishme aty”, ka sqaruar ai.

Ndryshe, ai ka shtuar se është vërtetë shqetësuese nëse kërkesa e banorëve për rregullimin e rrugëve shihet si kërcënim për Komunën e Prishtinës./Indeksonline/

I futen në zyrë, banorët kërcënojnë zyrtaren e Komunës së Prishtinës (Video)