13:24 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

ASHNA: Siguria dhe i gjithë aktiviteti i operimeve kryhet nga stafi vendorë

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), konfirmon se siguria dhe i gjithë aktiviteti i operimeve në ASHNA, kryhet nga stafi vendorë, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.

Drejtori i ASHNA-së Bahri Nuredini, siguron se mbarëvajtja e operimeve në ASHNA, bëhet në bazë të standardeve të sigurisë dhe rregulloreve të aprovuara nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, i cili është edhe rregullatorë i aviacionit civil dhe rregullisht bënë mbikëqyrjen e sigurisë së operimeve në ASHNA.

Në lidhje me prezencën e KFOR-it në Kullën e Trafikut Ajror, vlen të theksohet se Neni 15, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit 04/L-250 për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, thekson se:

“1. ASHNA duhet të koordinojë dhe bashkëpunojë me shërbimet dhe njësitë adekuate të NATO-s, shërbimet, njësitë tjera kombëtare dhe ndërmerr hapat e nevojshëm për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve me shkrim midis ASHNA-s dhe autoriteteve të NATO-s ose të marrëveshjeve ekuivalente ligjore lidhur me menaxhimin e blloqeve specifike të hapësirës ajrore.

2. Asgjë nga ky ligj nuk e ndalon që në të ardhmen të zhvillohen dhe zbatohen shfrytëzime fleksibile të hapësirës ajrore dhe procedura për menaxhimin e hapësirës ajrore së bashku me autoritetin përkatës të NATO-s që merret me shërbimin e navigacionit ajror”.

Po ashtu edhe Neni 25, paragrafi 5, i këtij ligji, saktëson se “Hyrja në fuqi këtij ligji nuk i heq autoritetin e dhënë Organizatës Veri-Atlantike (NATO) nëlidhje me hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës”.

Në bazë të kësaj ASHNA ka nënshkruar edhe Marrëveshje Bashkëpunimi me KFOR-in me datë 26.05.2017, me ç`rast edhe janë njoftuar mediat për nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe po ashtu gëzon bashkëpunim të shkëlqyer me KFOR-in ku dhe në vazhdimisht mbahen takime dhe koordinime mes stafit të ASHNA-së dhe zyrtarit ndërlidhës të KFOR-it.

Nga ana tjetër edhe në bazë të standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) dhe rregulloreve për koordinimet ushtarako-civile në fushën e shërbimeve të navigacionit ajror dhe praktikave ndërkombëtare, ekzistojnë zyrtarët ndërlidhës./Indeksonline/