13:28 / E Diele, 24 Qershor 2018 / indeksADMonline

Askush si Romelu Lukaku!

Dygolëshi i Romelu Lukaku për Belgjikën ndaj Tunizisë në përballjen e të shtunës, bëri që gjiganti  25-vjeçar të arrijë kuotën e 17 golave në 12 muajt e fundit me ekipin përfaqësues. Sulmuesi i Manchester United është që tani rekordmen me përfaqësuesen e vendit të tij pasi është golashënuesi më i mirë në moshën 25-vjeçare me fanellën e Belgjikës dhe është në garë me Cristiano Ronaldon për trofeun e “Këpucës së Artë” në Kupën e Botës “Rusi 2018”.

Madje, tani Lukaku numëron aq gola të realizuar me ekipin përfaqësues sa 9 yje botëror të marrë sëbashku. Lionel Messi, Antoine Griezmann, Neymar, Alexis Sanchez, Thomas Muller, Leroy Sane, Raheem Sterling, Mauro Icardi dhe Pierre-Emerick Aubameyang, të gjithë bashkë në total kanë realizuar 17 gola për ekipet e tyre përfaqësuese në 12 muajt e fundit. Mes tyre Messi udhëheq me 6 gola për Argjentinën, ndonëse ai është ndeshur me vështirësi në gjetjene golit në Rusi, madje duke dështuar një penallti ndaj Islandës.

Antoine Griezmann numëron pesë gola me Francën, ndërsa Neymar ka realizuar katër me Brazil, duke përfshirë këtu edhe golin e dytë në fitoren ndaj Kosta Rikës, të premten. Të dy, Alexis Sanchez dhe Thomas Muller kanë nga një gol për Kilin dhe Gjermaninë. Ndërsa Leroy Sane, Raheem Sterling, Mauro Icardi dhe Pierre-Emerick Aubameyang kanë dështuar në misionin e tyre për të shënuar qoftë edhe vetëm një gol me përfaqësueset në vitin e fundit.

Dygolëshi i Lukakut të shtunën , ndihmoi që ekipi i udhëhequr nga Roberto Martinez që të hedhë një hap të sigurtë drejt kualifikimit për në 1/8 e finales, pasi fituan ndaj Tunizisë me rezultatin 5-2 në Moskë. Tashmë Belgjika do të përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit në grupe, dhe kualifikimi i saj për në fazën e eliminimit direkt mund të sigurohet që të dielën, nëse ekipi i Gareth Southgate do të evitojë humbjen ndaj Panama.