18:48 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Asociacioni “mish i egër” që Serbia po tenton ta fus në Kosovë

Raundi i radhës i bisedimeve në Bruksel do të mbahet të dielën, gjë kjo që është konfirmuar edhe nga vet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se do të shikohen mundësitë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash. Por, nuk dihet me saktësi nëse do të bisedohet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, temë kjo që ka zgjuar shumë mospajtime mes Beogradit dhe Prishtinës.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese dhe analisti, Mazllum Baraliu për Indeksonline ka thënë se një marrëveshje sipas pikëpamjeve të Listës Serbe nënkupton një entitet të veçantë juridik.

“Pra, pretendimet e listës serbe dhe Beogradit që të bëhet një asociacion me fuqi vendimmarrëse si një entitet i veçantë juridik, që është dhe do të ishte republikë brenda republikës, do ta rrezikonte dhe destabilizonte Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut kjo marrëveshje është e ngjashme me rastin e Bosnjës, ku kjo e fundit pas dejtonit nuk ka arritur asnjëherë që të konsolidohet.

“Funksioni dhe kompetenca këshilluese e saj dhe jo vendimmarrëse, prandaj Serbia do të fus një mish të egër në Kosovë sikur që ka bërë në Bosnje me marrëveshjen e dejtonit, ku ka krijuar një entitet që ka filluar si asociacion dhe menjëherë pastaj është bërë Republikë Serbe. Që sot është entitet i barabartë me entitetin muslimano-boshnjak, prandaj Bosnja sot e kësaj dite nuk she dritë të bardh pasi as nuk mund të përparojë as të konsolidohet e të pranohet në BE”, është shprehur Baraliu.

Analisti ka theksuar se një marrëveshje sipas kushteve të Listës Serbe është e papranueshme, kurse opsioni i vetëm është të krijohet një asociacion këshillues, me kompetenca këshilluese dhe koordinuese mes komunave.

“Dhe këtë po tenton Serbia që ta bëjë edhe në Kosovë, dhe kjo është e papranueshme e nuk ka çfarë të diskutohet atje për këtë punë më tepër sesa mund të bëhet një asociacion këshillues në kompetenca këshilluese, koordinuese përmes komunave cilado qofshin ato, të komunitetin shumicë serb dhe qofshin edhe komunitete të tjera dhe bashkësi tjera etnike minoritare në Kosovë”, ka përfunduar Baraliu./Indeksonline/

Temat: