21:21 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Autobusët pa pagesë në kryeqytet, nuk dihet ende kostoja

Nga nesër Komuna e Prishtinës ka marr vendim që të ndal qarkullimin e veturave nëpër kryeqytet, për një periudhë të pacaktuar.

Kjo iniciativë vije pas nivelit shqetësues të ndotjes së ajrit që e ka renditur Prishtinën si qytetin më të ndotur në botë.

Me ndalimin e veturave, komuna ka njoftuar se qytetarët do të kenë mundësi që të lëvizin pa pagesë nëpër qytet me autobusët e trafikut urban.

Këshilltari për media në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se e respektojnë këtë vendim të ndërmarrë, që u miratua në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.

“Vendimi për ndalimin e qarkullimit të veturave është marrë nga Komuna e Prishtinës. Ky vendim përcakton ndalesën vetëm në zonën e parë (që përfshijnë disa rrugë). Vendimi përfshinë ndalesën për të gjitha veturat, duke përjashtuar qarkullimet emergjente dhe qarkullimin e policisë, apo qarkullimet me leje të veçanta. Qeveria e Republikës së Kosovës e respekton këtë vendim të ndërmarrë. Në mbledhjen e djeshme është miratuar kërkesa e ministres së Ambientit, Albena Reshitaj për krijimin e një task force emergjente, ndërministrore për nivelin e ndotjes së ajrit dhe përkrahë çdo angazhim në përmirësimin e gjendjes. Transporti falas është caktuar nga ora 06:00 – 22:00. Shpenzimet mbulohen nga Ministria e Mjedisit”, ka thënë Matoshi.

Kurse zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka potencuar për Indeksonline se akoma nuk kanë ndonjë shifër sa do t’i kushtoj buxhetit të Ministrisë pagesa që do t’ia bëjnë trafikut urban për bartjen e qytetarëve pa pagesë gjatë këtyre ditëve.

“Përllogaritjet për momentin po i bën trafiku urban dhe na tregon neve. Nuk dihet akoma sa autobusë do të funksionojnë pa pagesë. Qeveria përmes MMPH-së do të subvencionoj këtë pjesë, por nuk dihet akoma shifra, ashtu si nuk dihet sa do të zgjas. Varet prej kushteve klimatike, sot për shembull kemi një situatë krejt ndryshe me ajër, është shumë më mirë. Ka mbet që këtë punë se sa kushton ta bëj Trafiku Urban”, ka thënë Matoshi.

Se sa do të jetë fatura e trafikut Urban nuk e dinë ende as drejtuesit e kësaj ndërmarrje, por ata e dinë se nga nesër autobusët e linjave 1, 3 dhe 4 do të jenë pa pagesë dhe do të qarkullojnë në linjat e rregullta si zakonisht.

Kujtojmë se në këto linja që janë pa pagesë nga nesër përfshihen rrugët:

-Linja nr. 1: Prishtinë – Fushë Kosovë,

-Linja nr. 3: Lagjja“Kodra e Trimave” (te hoteli “Princi i Arbrit”.)- L “Kodra e Diellit” (zona e jugut),

-Linja nr. 3/A: Rr. “27 Nëntori” – Lagjja e Spitalit, Linja nr. 3/B: Bardhosh (Nëntë Jugoviqët) – Prishtinë (Arkivi i Kosovës),

-Linja nr. 4: L.“Kodra e Diellit” – Pishina e Gërmisë.

Ndalimi i qarkullimit të veturave përfshin periudhën nga ora 06:00-09:00 si dhe 16:00-22:00. /Indeksonline/