17:28 / E Martë, 13 Mars 2018 / indeksADMonline

Avokati i Azem Sylës: Prokuroria ankohet për vendimin e Gjykatës që t’i arsyetoj dështimet e tyre

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që të liroj nga burgu ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla.

Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit të Sylës, duke e liruar që të mbrohet në liri.

Por Prokuroria e Shtetit tashmë është përgatitur që të ankohet lidhur me këtë vendim.

Prokuroria njoftohet të mos ketë marrë ende vendimin nga Gjykata dhe se pret momentin e marrjes në mënyrë që të bëjë ankesën.

Lidhur me gjithë këtë procedurë, Indeksonline ka kontaktuar avokatin mbrojtës të Sylës, Besnik Berisha i cili ka thënë se Prokuroria do të ankohet për t’i arsyetuar dështimet e tyre.

“Për t’i arsyetuar dështimet e tyre, sigurisht se Prokuroria do të ankohet, por gjasat që ky vendim të rrëzohet janë minimale”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, synimi i vetëm i prokurorisë ka qenë dhe mbetet mbajtja e Sylës në paraburgim.

“Suksesi dhe synimi i vetëm i prokurorisë ka qenë dhe mbetet vetëm mbajtja e z.Azem Syla në paraburgim, por kjo nuk reflekton me detyrimin e tyre ligjor për t’i kontribuar drejtësisë.Z.Azem Syla prezumohet nga ligji dhe kushtetua tërësisht i pafajshëm dhe çfarëdo mase kufizuese është një dënim pa gjykim dhe nuk duhet të tolerohet”,ka përfunduar Berisha.

Duhet përkujtuar që Syla ishte akuzuar bashkë me 2 të pandehur të tjerë-disa prej të cilëve dyshohet se ishin pjesë e grupit të tij në tetor të vitit 2016.

Në aktakuzë ishin renditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë  krim të organizuar, pastrim parash, marrje e mitos, keqpërdorim i detyrës zyrtare, evazion fiskal, mashtrim në detyrë, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme.

20 ditë më parë, rasti i tij u transferua nga gjyqësia e EULEX-it në atë vendore.