19:36 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Bahtiri: Deklarimet e ministrit Ismaili vërtetojnë shqetësimet tona se PDK po tenton t’i politizojë spitalet

Kryetari i Mitrovicës, Agim Hahtiri, i ka reaguar ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili,  i cili duke iu kundërpërgjigjur kryetarëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, të cilët kishin lëshuar një komunikatë të përbashkët duke akuzuar atë për ndikime politike në zgjedhjen e drejtorëve të spitaleve.

Ministri Ismaili ka thënë se ata mund të jenë të shqetësuar, mirëpo, jo për qytetarët dhe as për sistemin shëndetësor, por për veten.

Ndaj kësaj deklarate të ministrit Ismaili, ka reaguar kryetari Bahtiri duke thënë se “deklarimi ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili,  nuk është asgjë më shumë se sa vërtetim i shqetësimit tim dhe të kryetarit të Vushtrrisë, z. Xhafer Tahiri, se PDK po tenton t’i politizoj spitalet e Mitrovicës dhe Vushtrrisë”.

“Pra, ministri Ismaili në asnjë pjesë të deklarimit të tij nuk e demanton politizimin e spitaleve, por që merret me përhapje të “mjegullës” përmes hapjes së disa temave të tjera”, ka thënë Bahtiri.

“Sa për informimin e qytetarëve, ministri Ismaili në deklarim është dashur të tregoj dhe të vërtetoj reagimin tonë, se kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë në testin me shkrim për spitalin e Mitrovicës është Mimoza Zeqiri, gruaja e Lulzim Zeqirit, këshilltarit të Kadri Veselit dhe kandidatit të PDK-së për asambleist në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës. Ai po ashtu ishte drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në qeverisjen komunale të Mitrovicës 2009-2013 të udhëhequr nga PDK. Znj. Mimoza Zeqiri, është juriste dhe nuk ka përvojë në sistemin shëndetësor”.

“Po ashtu edhe për konkursin e shpallur për drejtor të Spitalit në Vushtrri, kandidati i vlerësuar me më shumti pikë është Sami Istrefi, asambleist i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Vushtrrisë dhe drejtor komunal nga radhët e PDK-së në dy mandatet e kaluara qeverisëse në komunë. Po ashtu, edhe Sami Istrefi është jurist dhe nuk ka përvojë në sistemin shëndetësor”, thuhet në reagimin e Bahtirit.

Më tej Bahtiri thotë  “se kush po dëshiron politizimin e sistemit shëndetësor, kjo po shihet dhe nuk do koment më shumë”.

“Edhe sot, sikurse dje, i bëjë thirrje kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, presidentit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për anulimin e këtyre dy konkurseve të montuara nga PDK-ja përmes ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë. Në të kundërtën, Mitrovica do të reagoj ashpër.  Se a jam unë në shërbim të komunës dhe zbatimit të ligjit, këtë e kanë treguar qytetarët më së miri në vitin 2013 dhe e kanë vërtetuar edhe në vitin 2017”.

“Prandaj, edhe njëherë ju bëjë thirrje që t’i largoni duart nga politizimi i sistemit shëndetësor, duke iu dhënë mundësi njerëzve profesionistë që ta udhëheqin shëndetësinë e jo atyre që nuk dinë çka është një injeksion apo barnë”, thuhet në reagimin e Bahtirit.