13:39 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

Barça-Madrid: Cili klub ka bërë biznes më të mirë në afatin kalimtar veror?

Sezoni i ri në La Liga fillon këtë fundjavë, por Barcelona dhe Real Madridi kanë ende punë për të bërë në tregun e transferimeve.

Barcelona dhe Real Madridi kanë humbur lojtarë të mëdhenj, me Cristiano Ronaldon që u largua nga kryeqyteti pas nëntë viteve të suksesshme dhe me Andres Iniestan që u largua nga Barça për një kapitull të ri në karrierën e tij në Japoni.

Skuadra e Ernesto Valverdes e fitoi dopietën sezonin e kaluar, dhe në letër, duket se është përforcuar më shumë se Real Madridi, klub i cili dështoi në tentimet e tij këtë verë për ta transferuar Neymarin apo Kylian Mbappen nga Paris Saint-Germain, shkruan IndeksOnline.

Deri te mbyllja e afatit kalimtar veror kanë mbetur edhe dy javë, por çfarë kanë bërë Barcelona dhe Real Madridin në termin e transferimeve para sezonit të ri?

Barcelona:

Ardhjet: Malcom (Bordeaux), Clement Lenglet (Sevilla), Arthur (Gremio), Arturo Vidal (Bayern Munich).

Largimet: Yerry Mina, Lucas Digne (Everton), Andre Gomes (Everton – huazim), Gerard Deulofeu (Watford), Aleix Vidal (Sevilla), Andres Iniesta (Vissel Kobe), Paulinho (Guangzhou Evergrande – huazim).

Barcelona do ta fillojë sezonin e ri pa njërin prej yjeve ikonik – Iniestan, i cili zgjodhi të transferohej te Vissel Kobe për t’i ndarë rrugët shumë vjeçare me klubin katalunas.

Ndikimi i Iniestas ra me moshën e tij, por 34-vjeçari startoi sezonin e kaluar në 25 ndeshje të La Ligas, si dhe shkëlqeu në finalen e Copa del Rey, në fitoren, 5-0 ndaj Sevillas.

Gjiganti katalunas bleu në janar njeriun, i cili supozohej se do të ishte pasardhës i Iniestas – Philppe Coutinho, i cili nuk kishte të drejtë të luante në Champions League sezonin e kaluar pasi që tashmë kishte luajtur me Liverpoolin.

Aftësitë e Coutinhos për të luajtur në mesfushë si dhe në mbrojtje i japin fleksibilitet taktik Ernesto Valverdes dhe ish-anëtari i Liverpoolit kuptohet mjaft mirë me Leo Messin.

Faza e sulmit është freskuar me ardhjen e brazilianit të talentuar, Malcom nga Bordeaux, ku ardhja e tij shfaqë konkurrencë për Ousmane Dembelen, i cili sezonin e kaluar kishte probleme të mëdha me lëndime.

Clement Lenglet erdhi si përforcim në mbrojtje – Barcelona lejoi largimet e Aleix Vidal dhe Lucas Digne, por gjëja më e rëndësishme mund të jetë transferimi i Arthur.

Gremio dëshironte ta mbante 22-vjeçarin deri në dhjetor, por Barça dëshironte që ta merrte menjëherë lojtarin dhe ta përfshinte në turneun para-sezonal. Shpeshëherë, ai është krahasuar me Xavin.

Arturo Vidal ishte zëvendësuesi direkt i Paulinhos, pasi mesfushori iu ri-bashkua klubit kinez, Guangzhou Evergrande pas një sezoni të kaluar te Barça dhe reprezentueis kilian ka ardhur befasisht në ”Camp Nou”.

Por, Valverde mbetetet ende i interesuar për përforcime në mesfushë. Paul Pogba i Manchester Unitedit është objektivi kryesor i katalunasve. Megjithatë, Ivan Rakitic ndoshta mund të transferohet në Bayern Munich ose PSG pasi që vendi për të te Barcelona nuk është i garantuar.

Real Madrid:

Ardhjet: Vinicius Junior (Flamengo), Alvaro Odriozola (Real Sociedad), Andriy Lunin (Zorya Luhansk), Thibaut Courtois (Chelsea).

Largimet: Cristiano Ronaldo (Juventus), Omar Mascarell (Schalke), Achraf Hakimi (Borussia Dortmund – huazim), Theo Hernandez (Real Sociedad – huazim), Mateo Kovacic (Chelsea – huazim).

Shitja e një 33-vjeçari për vlerën e blerjes së tij para nëntë vitesh mund të konsiderohet marrëveshje e kënaqshme për Real Madridin, por tani ata nuk e kanë gjetur ende zëvendësimin e Ronaldos. Dhe mbetet të shihet në vazhdim.

Real Madridi ka qenë i lidhur vazhdimisht me Neymarin dhe Mbappen – pavarsisht se klubi i refuzoi spekulimet, derisa Eden Hazard i Chelseat ka qenë një emër tjetër, marrëveshje me të cilin nuk është arritur.

Megjithatë, duket se Chelsea nuk do ta pranojë largimin e mesfushorit belg, pasi që tashmë afati kalimtar veror në Angli është i mbyllur.

Heroi i finales së Champions League në maj, Gareth Bale dhe Marco Asensio priten të marrin rol më të rëndësishëm pas largimit të Ronaldos, derisa Vinicius Junior mund të jetë ylli i së ardhmes.

Julen Lopetegui do t’i ketë pothuajse të gjithë lojtarët e njejtë, të cilët Zinedine Zidane i drejtoi tri herë radhazi në triumf të Champions Leagues, por ka një ndryshim në portë, pasi që klubi e transferoi Thibaut Courtois nga Chelsea.

Madridi pritet të shpenzojë sërish para se të mbyllet afati kalimtar veror, por njëri prej yjeve kryesor të skuadrës mund të transferohet drejt Serie A-s.

Luka Modric, fituesi i ”Topit të Artë” në Kupën e Botës, është duke u monitoruar nga Interi dhe pavarsisht pohimeve se vetë lojtari e ka kërkuar një gjë të tillë, transferimi mund të mos ndodhë./IndeksOnline/