10:56 / E Premte, 12 Janar 2018

BB: Ekonomia e Maqedonisë këtë vit me rritje prej 3,2 për qind

Rritja e ekonomisë së Maqedonisë gjatë këtij viti do të jetë 3,2 për qind, parashikoi Banka Botërore në raportin më të ri për perspektivat ekonomike.

Sipas BB, në Maqedoni pas tejkalimit të krizës politike, e cila pati ndikim në ekonominë, probleme kryesore mbeten papunësia, konsolidimi fiskal dhe mundësia për rritjen e deficitit fiskal për shkak të shpenzimeve të paralajmëruara për projekte infrastrukturore.

Me projeksionin BB për vitin e ardhshëm parashihet rritje e BPV të Maqedonisë prej 3,9 për qind dhe prej 4 për qind në vitin 2020.

Si edhe në raportin e rregullt vjeshtor për ekonominë në EJL, BB parashikon rritje prej 1,5 për qind të ekonomisë së Maqedonisë në vitin 2017.

Prej vendeve të rajonit, sipas BB, Shqipëria këtë vit do të ketë rritje prej 3,6 për qind, BeH 3,2 për qind, Bullgaria 3,3 për qind, Kroacia 2,6 për qind, Mali i Zi 2,8 për qind, Serbia 3 për qind, ndërsa Kosova 4,8 për qind.

BB vlerëson se ekonomia globale sivjet do të përmirësohet dhe parashikon rritje prej 3,1 për qind.