10:47 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

BB-ja paralajmëron për rreziqet që frenojnë rritjen ekonomike

Banka Botërore e ka ngritur parashikimin për rritjen ekonomike globale në dy vjetët në vijim, duke vënë në dukje se ekonomia botërore do të ketë një rimëkëmbje të gjithanshme për herë të parë në 2018 qysh nga fillimi i krizës financiare, ndërsa Kina do të vazhdojë të jetë një forcë e rëndësishme e kësaj rritjeje.

Banka Botërore u shpreh se nga viti 2017 deri në 2020, Azia Lindore dhe rajoni i Paqësorit kanë qenë dhe do të jenë kontribuuesit kryesorë për rritjen e ekonomisë botërore, ku kontributi i Kinës pritet të arrijë në 30%.

Banka Botërore ka bërë një vlerësim paraprak se rritja ekonomike globale vjet ka qenë 3 për qind, rritja më e madhe që prej vitit 2011. Mbi gjysma e ekonomive botërore patën shpejtim të ritmeve të rritjes, niveli më i lartë gjatë viteve të fundit.

Banka Botërore paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që frenojnë rritjen ekonomike, pasi ekonomitë e zhvilluara mund të shpejtojnë hapat për normalizimin e politikave të tyre monetare, që do të çonte në një shtrëngim të kushteve financiare globale.